Tek ne është bërë praktikë që sa herë që ndodh ndonjë situatë shqetësuese, del në pah një fenomen negativ apo ndonjë skandal, të thuhet fajin e ka shoqëria civile. është krijuar një lloj përshtypje e rremë në mbarë opinionin publik që shoqëria civile ka fuqinë, tagrin e për rrjedhojë edhe përgjegjësinë për zhvillimet negative.

Kuptohet që në rrethana frustrimi dhe dëshpërimi fajtori synohet të gjendet kudo, mirëpo pretendimet dhe pritshmëritë që ka shoqëria jonë ndaj të ashtuquajturës shoqëri civile janë dendur me të vërtetë irrealiste dhe të gabuara.

Inflacionimi me pritshmëritë ndaj shoqërisë civile lidhet së pari me politikat donatore në fillim të viteve 90-të dhe ligjërimin publik që mbizotëronte asokohe. Dihet sipas teoricienëve kryesorë të demokracisë që një shoqëri civile e gjallë e pasur dhe solide është një ndër kushtet kryesore për ndërtimin e një demokracie funksionale të mbështetur në sundimin e ligjit.

Kjo paradigmë çoi në kanalizimin e një pjese të mirë të donacioneve në të ashtuquajturat organizata joqeveritare duke ndërtuar e konsoliduar organizata dhe eksponentë të fuqishëm të këtij sektori që filloi të zinte një hapësirë të ndjeshme në debatin publik. Mirëpo efekti i parë negativ në opinionin publik është iluzioni se me spote, tryeza të rrumbullakëta, fletëpalosje, seminare, konferenca e trajnime mund të ndryshohet realiteti. E vërteta është që shoqëria civile nuk është zëvendësuese e politikës formale pra e vendim-marrjes por thjesht komplementare dhe katalizatore.

Pra mund të plotësojë deri diku disa nga nevojat dytësore të shoqërisë nga politika dhe krijon një klime të përshtatshme për funksionimin e duhur të institucioneve të demokracisë por kurrsesi ti eleminojë ato e të zërë vendin e tyre. Prania e një volumi të madh financimesh madje ka pasur një dumping effect pasi ka bërë që shumë individë të mirë-arsimuar dhe me njohuri e aftësi të spikatura të zgjidhnin angazhimin apo punësimin në këtë sektor duke privuar sektorin privat apo sektorin politik nga burime njerëzore të vlefshme dhe të rralla.

Nëse bëhet një paralelizëm me ekonominë, shoqëria civile në fakt bën pjesë e kërkesës dhe jo e ofertës. Pra shoqëria civile shërben si forum dhe instrument për të artikuluar, agreguar dhe avokuar interesa të ndryshëm ndaj vendim-marrjes, pra të kërkesës së publikut por nuk mund të pretendojë të "ofrojë" vendime e politika të cilat vijnë ekskluzivisht nga institucionet përkatëse shtetërore.

Faktikisht në fund të viteve nëntëdhjetë vetëm diku tek 2% e donacioneve të fushës së demokratizimit  shkonte tek partitë politike që edhe janë aktorët kryesore të ofertës në lojën politike. Investimi disporpocional tek shoqëria civile si pjesë e kërkesës në kurriz të ofertës pra institucioneve shtetërore dhe partive politike u ra në sy edhe donatorëve të cilët në fund të viteve 90-të filluan të ridimensionojnë politikat donatore. Prandaj ata filluan gjithnjë e më shumë të mbështesnin ngritjen dhe konsolidimin e partive politike si dhe institucionet qeveritare.

Mirëpo pasojat e këtij deformimi vazhdojnë ende sot dhe nuk kanë gjasa të shlyhen për një kohë të gjatë. Konkretisht shqiptarët vijojnë ta konsiderojnë shoqërinë civile si diçka monolite, si bllok që funksionon si trup i vetëm dhe nuk e sheh si një hapësirë plurale që ka një larmi të madhe aktorësh që kanë qëllime dhe objektiva të ndryshme e që shpesh edhe konfliktohen me njëra tjetrën.

Kjo është padyshim një reminishencë e komunizmit që e sheh shoqërinë të ndarë në klasa dhe në rastin tonë e sheh si klasë më vete shoqërinë civile. Kështu për shembull në kuadër të shoqërisë civile funksionojnë organizatat ambjentaliste dhe po ashtu ato të bujqëve interesat e të cilëve nuk pyesin shumë për pasojat dëmtuese për ekologjinë të kulturave bujqësore apo blegtorale. Ka sindikata por edhe dhoma tregtie a biznesi që përplasen me njëra-tjetrën. Në këtë kuadër një tjetër perceptim i gabuar dhe naiv është ai që e sheh shoqërinë civile si opozitare të drejtpërdrejtë të pushtetit politik. Jo vetëm që shumë shoqata për nga profili përputhen me interesat e partive të ndryshme si grupet e interesit të biznesit me të djathtën dhe sindikatat me të majtën, por shumë organizata jo-fitimprurëse kanë objektiva që përputhen apriori me shtetin, pavarsisht nga pala që e qeverisë. Kështu për shembull shoqatat humanitare janë në përputhje me veprimtaritë sociale që ndermerr çdo shtet normal dhe nuk ka pse të shihen si mjete presioni ndaj qeverisjes.

Për të tillë niveli trajtimi të shtrembër, përgjithësues dhe naiv që mbizotëron mund të jepen shembuj të shumtë të tjerë mirëpo problemi kryesor që unë shoh ështe delegjitimimi i politikës formale, institucioneve tradicionale të demokracisë përfaqësuese duke ushqyer iluzionin se shpëtimi duhet pritur nga shoqëria civile.

Një ndër rastet më të prekshëm dhe domethënës të këtij shqetësimi është mënyra si ka evoluar çështja çame në Shqipëri. Organizata patriotike çamëria është krijuar sapo ka ardhur pluralizmi në 10 janar të vitit 1991 dhe pavarsisht nga përfshirja masive e anëtarësisë dhe zellit të madh i dëshmuar prej lidershipit të saj kjo çështje ngeli pezull e harruar dhe e nëpërkëmbur. Dështimi i realizimit të qëllimit të kësaj organizate për të kaluar rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame në parlamentin shqiptar në vitin 2004 bëri që nga shoqëri civile aksioni të transferohej në lojë të mirëfilltë politike. Tanimë që kjo çështje është pjesë thelbësore e një partie politike kjo çështje po gjen rrugën e zgjidhjes çka dëshmon në miniaturë se gjithë energjite duhen kanalizuar në aksionin politik formal për të patur rezultat.  Kjo do të thotë se nëse synohet arritja e disa objektivave apo interesave vëmendja, koha dhe të gjitha burimet duhen të përqëndrohet te "aktorët e ofertës" pra tek partitë politike dhe institucionet qeverisëse.

Me pak fjalë pavarsisht prej alergjisë masive që është krijuar prej lojës aspak të ndershme të politikës shqiptare dhe ndotjes që mbizotëron aty, prapëseprapë përfshirja në këtë lojë është e vetmja mënyrë për të sjellë një ndryshim domethënës. Vendim-marrësit janë më se të lumtur nëse individët me potencial të madh harxhojnë kohë e vëmendje në angazhime të shoqërisë civile dhe nuk kandidojnë e garojnë për t'i zëvendësuar në lojën formale politike.

Po ashtu situata ku shumë njerëz e kërkojnë zgjidhjen tek shoqëria civile dhe më shumë shqetësohen pse nuk ngre zërin sektori i tretë sesa pse rrinë indiferentë vendim-marrësit apo legjislatorët nuk bën gjë tjetër përveçse çon ujë në mullirin e atyre që përfitojnë nga status quo-ja shqiptare. Këtu shkon më së miri për shtat shprehja e famshme e Edmund Burke që thoshte “e vetmja gjë e nevojshme për të mundësuar triumfin e të keqes është që njerëzit e mirë të mos bëjnë asgjë”. Fatkeqësisht në këtë botë njerëzit nuk kanë luksin të bëjnë vetëm gjërat që duan por edhe ato që duhet, dhe nëse duan të ndryshojnë realitetin duhet të përfshihen në politike partiake dhe elektorale dhe mos të ushqejnë iluzione për zgjidhje imediate e radikale prej shoqërisë civile.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)