Imamit të xhamisë te 'Rruga e Kavajës', Ahmed Kalaja, i është ndaluar hyrja në Maqedoninë e Veriut. Këtë denoncim e ka bërë vetë Imami Kalaja përmes një postimi në Facebook, në të cilin shkruan se do të shkonte në një xhami në fshatin Bojanë, por i është ndaluar hyrja në kufi.

Sipas tij, çdo dokument e ka pasur të rregullt, ndërsa thotë se për të shkuar në Maqedoni kishte dhe ftesë zyrtare për të cilën ishte njoftuar çdo institucion. Sipas mediave, Kalaja është njoftuar nga autoritetet kufitare se për të ekziston një ndalesë e bazuar në Ligjin për të huajt, duke iu referuar dispozitës se ai “paraqet rrezik për rendin publik (kushtetues), sigurinë kombëtare, shëndetin publik ose marëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet kufitare në dokumentin mbi të cilin bazohet ndalesa nuk kanë dhënë shpjegime shtesë apo hollësi për vendimin që Kalaja të mos lejohet të hyjë në shtetin fqinj. Ai kërkon që institucionet e  Islamit në dy shtetet, Avokati i Popullit dhe Ministria e Jashtme, të reagojnë.

“Open Ballkan; Ballkani i Hapur sa e bukur për të qenë e vërtetë; që një ditë të kalonim kufijtë pa pengesa. Kam udhëtuar kudo në Evropë edhe Britani edhe asnjë pengesë. Mirëpo politikat shoviniste të Shtetit të Maqedonisë se Veriut ndaj shqiptarëve nuk kanë të sosur.

Pavarësisht se isha i ftuar zyrtarisht edhe të gjitha institucionet ishin në dijeni. Arsyeja e ndalimit shprehet në letër; e normalisht nuk ke ku të ankohesh vetëm se te Zoti; që tua japë hakun atyre ndaj kësaj sjellje të paprecedente arrogante monstruoze.

Ndoshta Institucionet e përfaqësimit të Islamit në dy shtetet, avokati i popullit, ministria e jashtme, shteti do të reagojnë.  Ndjesë besimtarëve edhe qytetarëve të Shkupit ndaj politikave monstruoze të atyre që i udhëheqin.  Agjërim të pranuar e mos i harroni nga duatë ata po edhe ne që me zemër të përmalluar u nisa për të ju e nuk erdha dot”, shkruan ai.