Imami: Jo kontroll pa kushte
Kuvendi të njohë limitet e veta

Imami: Jo kontroll pa kushte<br />Kuvendi të njohë limitet e veta
TIRANE – Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka deklaruar sot se nuk do të lejojë asnjë kontroll në ministrinë e tij pa krijimin e një komisioni të ligjshëm që të ushtrojë këtë funksion, ndërsa ka sqaruar se nuk është i përfshirë në asnjë përgjim.

Këtë deklaratë, Imami e ka bërë menjëherë pas seancës dëgjimore në Komisionin e Sigurisë lidhur me planin e përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe ndryshimet strukturore që i janë bërë këtij plani.

Duke u përgjigjur ndaj kërkesave të Partisë Socialiste për kontroll në Ministrinë e Mbrojtjes, Arben Imami, tha se “çështja e kontrollit nuk është çështje e Ministrisë , por e Parlamentit”, duke shtuar se “nuk do të lejojë shkeljen e limiteve të kontrollit parlamentar”, pasi kjo sipas tij “është një precedent i keq”. Parlamenti duhet të dijë ku është limiti i kompetencave të veta, tha Imami.

Sipas ministrit, për të ushtruar këtë funksion kontrollues duhet të ngrihet një komision që më parë duhet të betohet për ruajtjen e sekretit, pasi “as ministri nuk i di të gjitha, ky komision le të dijë më shumë”, ka thënë ai, por duhet “të ngrihet në mënyrë të ligjshme”. Edhe “Kryeministri sjell një plan konkret të kontrollit” kur vjen për kontroll në Ministri, theksoi Imami ndërsa kërkoi rregulla të qarta.

Ministri i Mbrojtjes ka hedhur poshtë akuzat për trafik armësh në dikasterin e tij: “I raportoj Kryetares së Kuvendit, Kryeministrit dhe Presidentit”, theksoi ai.

I pyetur mbi shkatërrimin e municioneve në Shqipëri, Arben Imami premtoi se “në vitin 2013 Shqipëria do të jetë e çliruar nga kjo”.

PERGJIMET
Ndërkaq, në lidhje me përgjimin ndaj Partisë Socialiste dhe diplomatëve, Imami tha se nuk ka të tilla, ndërsa ka parashtruar edhe në këtë rast, ngritjen e një nën komisioni “me tre, katër njerëz të besuar të grupeve parlamentare, të cilët të dalin në një deklaratë të përbashkët dhe të bëjnë publik vendimin pa informuar asnjë nga grupet e tyre parlamentare më parë”.

“Provokimi që janë përgjuar edhe diplomatë, nuk shkon, nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës që të përgjohen diplomatët e vendeve të perëndimit”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.

(gm/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    EURO 2024/ Fillojnë ndeshjet e fundit, a mendoni se Shqipëria kalon grupin?



×

Lajmi i fundit

Sylvinho pas eliminimit: Dua të pushoj, kemi 5 muaj që punojmë pa ndërprerje! Shqipërisë i zbulova lojtarë për 10 vitet e ardhshme

Sylvinho pas eliminimit: Dua të pushoj, kemi 5 muaj që punojmë pa ndërprerje! Shqipërisë i zbulova lojtarë për 10 vitet e ardhshme