Imami në kom. e Sigurisë, PS:
Duam të kontrollojmë Ministrinë

Imami në kom. e Sigurisë, PS:<br />Duam të kontrollojmë Ministrinë
TIRANE- Debate në Komisionin e Sigurisë ku po zhvillohet seancë dëgjimore me Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, lidhur me "Planin e përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe ndryshimet strukturore që i janë bërë këtij plani".

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami po ballafaqohet sot me Partinë Socialiste në komisionin e Sigurisë në lidhje me mos lejimin e deputetëve PS për të hyrë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Deputetët socialistë kërkojnë me insistim nga ministri Arben Imami të thoshte datën kur do të priteshnin për të ushtruar kontrollin në ministri ashtu siç ia lejon dhe rregullorja e kuvendit. Kërkesa është bërë me zë të lartë por dhe me shkrim. Nga ana e tij ministri Imami nuk dha përgjigje.

Nënkryetari socialist i komisionit, Ilir Gjoni, tha se Imami ndodhet në këtë seancë pasi ka penguar kërkesën e tyre (opozitës) për kontroll parlamentar.

Ndërsa, deputeti i PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se komisioni nuk ka marrë asnjë vendim për kontroll në Ministrinë e Mbrojtjes. "Ju kërkoni një "Watergate" në Shqipëri, por nuk mund ta gjeni, se ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Për çdo dyshim që keni do të ketë vetëm përgjigje institucionale", iu drejtua Patozi anëtarëve të majtë në komision.  Aktualisht komisioni vazhdon me dyer të mbyllura pasi informacioni që do të jepet gjatë saj konsiderohet "i klasifikuar".

Javët e fundit anëtarët e PS-së në komisionin e Sigurisë dhe ministria e Mbrojtjes janë konfliktuar për shkak të moslejimit të kontrollit parlamentar në këtë dikaster, të kërkuar nga opozita. Pas refuzimit të këtij kontrolli nga ana e ministrit Imami, ky i fundit u vetëofrua për një seancë dëgjimore në këtë komision, për t'i dhënë përgjigje akuzave të opozitës që pretendon se janë kryer afera korruptive me tregtinë e armëve.

Takimi i ministrit Imami duhej të ishte zhvilluar ditën e hënë, por sekretarja e komisionit informoi deputetët nëpërmjet një mesazhi ku ministri Imami nuk vinte dot për shkak të një angazhimi jashtë vendit. “Përshëndetje, mbledhja e ditës së hënë do të shtyhet për të mërkurën në orën 11:00, pasi ministri i Mbrojtjes Arben Imami është në një aktivitet jashtë shtetit. Z Çobaj, Ngresi, Babasi, Maliqi kanë ftesa në kutinë postare për sot pasdite”, thuhej në mesazhin e dërguar deputetëve të majtë dhe të djathtë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Sylvinho pas eliminimit: Dua të pushoj, kemi 5 muaj që punojmë pa ndërprerje! Shqipërisë i zbulova lojtarë për 10 vitet e ardhshme

Sylvinho pas eliminimit: Dua të pushoj, kemi 5 muaj që punojmë pa ndërprerje! Shqipërisë i zbulova lojtarë për 10 vitet e ardhshme