ALTERNATIVA PS, SASIORE, JO E TË MIRËS
"Dy alternativa janë relativisht më përfaqësuese në këtë vend, e pranojmë se alternativa e PS është e rëndësishme nga pikëpamja sasiore, por kjo alternativë nuk është alternativa e së mirës, historia e kësaj partie në këto 8 vitet e fundit që është e lidhur me programin e integrimit të vendit në BE nuk ka qenë vecse alternativë e bllokimit. Dhe është turp që PS i vë titullin koalicionit të vet koalicioni për integrim, ai është koalicion i izolimit të Shqipërisë”, tha Imami, ku edhe një herë e vuri theksin tek mos pranimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të PS në 2005, e më tej tek greva e urisë, 21 janari dhe mos votimi i tre ligjeve, etj.
NE, MODEL TË QËNDRUESHËM
Imami shtoi se “për vite me rradhë PS ka bërë përpjekje të ndalë integrimin e këtij vendi”. Ky është modeli i tyre dhe model të cilit i duhet thënë "jo". Modeli tjetër është modeli i punës, i qëndrueshmërisë ekonomike dhe stabilitetit politik të vendit. Nuk ka mundësi, që një vend në kushtet e destabilitetit politik të ecë mirë ekonomikisht, aq më tepër në kontekstin e një krize ekonomike që ka pushtuar të gjithë Europën Jugore".
RAMA BLLOKOI STATUSIN
"Ne do të jemi pjesë e këtij bashkimi të madh politik, që është Europa e Bashkuar, por marrja e statusit kandidat në mënyrë të menjëherëshme ndikon në cilësinë e jetës së vendit në përafrimin real të këtij vendi me BE. Edi Rama ju ka vjedhur ju 266 milionë euro në katër vite që shkuan, sepse nuk e votoi këtë status. Projekti i investimeve tona për ta mbyllur infrastrukturën e vendit është 400 milion euro, ne do ta kishim mbyllur atë po ta kishim statusin e vendit kandidat katër vite më parë", ka akuzuar Arben Imami kreun e opozitës, Edi Rama.
PS-LSI S’DINË KUSH DO JETË KRYEMINISTRI
"Lufta e brendshme në PS-LSI nuk ka akoma të qartë për t’i thënë qytetarëve, se kush është kryeministri i vendit, Rama apo Meta", ka thënë Imami.
MODELI YNË, AI I DHJETORIT ’90-TË
Arben Imami ka kthyer kokën pas dhe e ka krahasuar duke e barazuar modelin e sotshëm me atë të liderëve të dhejtorit '90, pjesë e të cilit ka qenë edhe vetë. "Ky është modeli i integrimit, ky është modeli i hapjes, ky është modeli që u nis me Azem Hajdarin, Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Eduart Selamin, i cili rrëzoi diktaturën, e futi vendin në Nato, e do ta fusim edhe në BE. Ky është modeli i stabilitetit ekonomik, ne vijuam zhvillimin në krizën më të thellë që ka parë Europa ndonjëherë. Ne një vend i vogël qëndruam me një politikë të qartë, të vendosur për të hapur tregun, për të rritur punësimin dhe për të zhvilluar ato kapacitete, që vendi i ka, për të ftuar maksimumin e mundshëm të investimeve të huaja në këtë vend", shpjegoi Imami.
S’PAGUAN MË SHUMË PASTRUESI SE KRYEMINISTRI
"Edi Rama gënjen kur thotë se paguan më shumë pastruesi sesa kryeministri, kjo është një shpifje e ndyrë", tha Imami, duke u ndalur tek taksat progresive që propozon Rama. Nëse thua sa më shumë rritet rroga aq më shumë shtohen taksat ti atëherë demotivon njeriun për të punuar dhe kjo con në ndërprerje karriere, në ndërprerje biznesesh. Taksa progresive në thelb nuk është një taksë e drejtë, është marksiste e kriminale, që do të bjerë në ato të rinj e të reja që punojnë në privat. Ky është aspekti individual. Aspekti i përgjithshëm është se duke rritur taksat Edi Rama do të na çojë në kohën e monopoleve, në rastin konkret rasti i Koço Kokëdhimës, i cili nuk paguan dhe nuk do të paguajë taksat. Kjo taksë do të cojë drejt falimentimit biznesin, i cili do të ketë nevojë për mbështetje sociale, pra do të ketë nevojë për një buxhet shteti akoma më të madh se ai që ne kemi. Nëse rasti i Koços nuk paguan taksat me çfarë do të mbahet ky vend.
PROGRAMI I PS JO RILINDJE, POR GROPOSJE
"Programi i PS nuk është rilindje e ekonomisë shqiptare por groposje të ekonomisë. Në rast se merren masa për një vit, atëherë do të kishte një ndikim negativ jo vetëm në buxhet, por edhe në punë e në biznes. Nga ana tjetër do të ndikonte drejtëpërdrejtë në investimet e huaja në këtë vend. Nëse investimet e huaja do të vijnë me 20 apo 30 përqind të taksave atëherë kjo nuk bën gjë tjetër veçse i pengon këto biznese. Ne jemi mbajtur këto vite nga këto investime të huaja. Në vitin 2009 -2013 këto investime vajtën në 1 miliard në vit, kështu është shtuar pasuria dhe investimet në këtë vend. Është porosi e vjetër e Karl Marksit që proletariati duhet të jetë varrmihës, është ideologjike, duan ta shkallmojnë kapitalin, të shkallmojnë vendin e punës. Kjo është rruga e humbjes, kjo është rruga që nuk na çon asgjëkundi. Kur flas për Edi Ramën dua të them se ky njeri nuk mund të mbajë ngarkesë, sepse të ecësh përpara kërkon inteligjencë, qëndrueshmëri psikologjike, ky njeri nuk mund të çajë përpara”, analizoi Imami.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)