TIRANE – “Rama të vendosë interesin e qytetarëve para interesit të një kupole biznesmenësh”. Kështu është shprehur kryeministri Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në lidhje me imunitetin, ndërsa shtoi se nuk ishte Partia Socialiste ajo që ndryshoi qëndrimin e saj, por “vendosëm ne që të pranojmë një variant që kishim kundërshtuar një vit më parë duke shkuar drejt saj” për të pranuar ndryshimet e imunitetit me ndërhyrje në Kushtetutë.
“Pas lëvizjes sonë rama mori qëndrimin bllokues për heqjen e imunitetin me ndryshime kushtetuese”, tha Berisha, ndërsa shtoi se “ekpertët vlerësuan draftin e PD-së”.
Berisha tha se "Rama e lidh heqjen e imunitetit me pazare për drejtësinë", ndërsa shtoi se "ai mban peng imunitetin duke kërkuar të emërojë titullarët e institucioneve".
"Për Ramën ka rëndësi pazari, në shkëmbim kërkon atë që ndodhi me Avokatin e Popullit, të cilin e mbajti dy vjet pa kryetar. Kërkon që të zgjedhë të gjithë krerët e gjykatave, kreun e KLSH, presidenti të emërohen me mekanizmin “ose zgjedhje e tyre në zyrat e Fidelit, ose mbetje e zyrave pa kokë”. Kjo është Kushtetuta e pakicës, e cila nuk mund t’i vendoset këtij vendi. Kanë ikur kohërat kur qeveris pakica”, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij, Sali Berisha tha se “drafti i paraqitur nga deputetët e PS është autentik i draftit të hartuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar, u vërtetua se ky draft është varianti më i avancuar i kohës”.
Gjithashtu, Kryeministri i bëri sërish thirrje Ramës që “të lërë mënjanë pazaret, të studiojë qartësisht tërë ecurinë e dialogut politik në këto vite”.
Në përfundim të fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokrtatike, Berisha tha “ligjet tona janë ligje demokratike që përputhen me standartet ndërkombëtare, ndaj e ftoj ramën ta mendoj kushtetutën për imunitetin, të vendosë interesin e qytetarëve para interesit të një kupole”.
(gm/shqiptarja.com)










