Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po shkel Kushtetutën për të mbrojtur ministrat dhe zyrtarët e saj, duke iu referuar vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese që sipas tij, rrëzoi me votim unanim 8 me 0 qëndrimin se pezullimi i ministrave lidhet me imunitetin e tyre.

Bardhi theksoi se vendimi i Kushtetueses i ka dhënë përgjigje edhe çështjes së imunitetit të deputetes Belinda Balluku, duke sqaruar se Kuvendi duhet vetëm të verifikojë nëse ka motivim politik në kërkesat e drejtësisë.

Në këto kushte, ai i kërkoi mazhorancës të tërheqë propozimin për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, që e cilësoi antikushtetues, dhe t’i hapë rrugë kërkesës së prokurorisë.

“Sa kohë në sallë nuk është as propozuesi i këtij projektligji dhe as ministri i Arsimit, unë do e shfrytëzojë këtë kohë për t’ju ribërë edhe njëherë thirrje për të kërkuar ndjesë zoti kryetar i Kuvendit, për shkeljen e Kushtetutës. Sot po ju sjell një rast të dytë, duke nënvijëzuar edhe distancimin e plotë të opozitës në Parlament, nga qëndrimi që Kuvendi mbajti në mënyrë antikushtetuese në padinë që kryeministri depozitoi si zyrë avokatie e Ballukut në Kushtetuese.

Qëndrimi i Kuvendit, i padiskutuar në asnjë organ të Kuvendit, unë nuk e di kush e ma miratuar këtë qëndrim të Kuvendit, ka mbajtur një qëndrim që është rrëzuar njëzëri 8 me 0 nga Gjykata Kushtetuese. Dhe qëndrimi juaj zoti kryetar se pezullimi i ministrave është pjesë e imunitetit kushtetues të ministrit, nëse nuk e keni marrë vesh është rrëzuar si qëndrim antikushtetues. Kjo është shkelja e dytë që ne ju evidentojmë sot. Ju zoti Peleshi duhet të gjeni kurajon të kërkoni ndjesë.

Nxirreni Ulsiun nga biblioteka, sepse i ka dhënë përgjigje çështjes së dytë që ka të bëjë me heqjen e imunitetit të Ballukut. I ka dhënë përgjigje në mënyrë shteruese. Ka përcaktuar që imuniteti nuk është privilegj ndaj deputetit të veçantë, prandaj nuk është privilegj i Ballukut. Ulsiu ka lexuar kot, po lodhet por nuk ka gjetur një argument për atë qëndrim pa qëndrim”, tha Bardhi.

Nga ana tjetër, kryeparlamentari Niko Peleshi i është përgjigjur Bardhit duke theksuar se Kuvendi ishte thirrur si palë në çështjen gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje me procesin.

Madje Peleshi shkoi më tej kur tha se ekspertët teknikë të Kuvendit as nuk ishin konsultuar me të, për të marrë mendim se çfarë qëndrimi të mbanin në Kushtetuese.

“Kur Kuvendi thirret si palë në një çështje në gjykatë, nuk ftohet seanca, por institucioni. Seanca nuk jep mendime, merr vendime. Ne, Kuvendi u ftua në atë çështje si një palë për të dhënë mendimin teknik ligjor. Madje as me mua nuk kanë pasur ekspertët teknikë të Kuvendit ndonjë konsultë, se çfarë qëndrimi duhej mbajtur. Unë nuk do ia lejoja vetes që t’i jepja një orientim politik sesi përfaqësohet teknikisht Kuvendi. Ndërsa të konsultohet seanca për qëndrimin që duhet të mbajë në një çështje, unë këtë nuk e kam dëgjuar ndonjësherë”, tha Peleshi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Koçiu dhe ministrat e rinj votëbesohen mes kaosit të PD, Berisha dhe deputetët bllokojnë foltoren! Sherr edhe për imunitetin e Ballukut