7 organizata të shoqërisë civile i kërkojnë Kuvendit të shqyrtojë sa më parë kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, që me pezullimin nga detyra si zv kryeministre tashmë është vetëm deputete.

Shoqëria civile thotë në një kërkesë zyrtare se çdo vonesë, rrezikon të kthehet në mburojë të përgjegjësisë para drejtësisë.

“Në ushtrim të së drejtës kushtetuese për t’iu drejtuar organeve publike dhe në përmbushje të rolit tonë si organizata të shoqërisë civile për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit publik, po i drejtohemi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me mënyrën e trajtimit parlamentar të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtuar Kuvendit për autorizim parlamentar në lidhje me deputeten Belinda Balluku. Shqetësimi ynë buron nga rreziku që procedurat kushtetuese të parashikuara për trajtimin e kërkesave të organeve të drejtësisë të kthehen në objekt zvarritjeje, relativizimi ose instrumentalizimi politik. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e kanë përcaktuar qartë rolin e Kuvendit në këto raste si një kompetencë procedurale, të kufizuar dhe të rregulluar nga afate, dhe jo si hapësirë për debat politik mbi çështje penale në themel. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 73, e ka konceptuar imunitetin parlamentar jo si mburojë personale për t’iu shmangur drejtësisë, por si garanci funksionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues. Kështu, imuniteti nuk mund të shndërrohet në pengesë procedurale për ushtrimin e funksioneve kushtetuese të organeve të drejtësisë. Po ashtu, kuadri ligjor që rregullon organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, në ndërthurje me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, kërkon që pushteti legjislativ të ushtrojë kompetencat e tij në mënyrë që të mos pengojë, vonojë apo relativizojë ushtrimin e funksioneve kushtetuese të organeve të drejtësisë. Çdo vonesë e pajustifikuar procedurale, çdo devijim nga procedura e përcaktuar në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit, si dhe çdo instrumentalizim politik i një kërkese penale, rrezikon të cenojë parimin e barazisë para ligjit, detyrimin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e publikut në funksionimin e institucioneve demokratike.Në këtë kontekst, qëndrimet e përsëritura të institucioneve të Bashkimit Evropian mbi rëndësinë e trajtimit në kohë, transparent dhe pa politizim të kërkesave të organeve të drejtësisë përputhen edhe me angazhimet e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të pavarësisë së drejtësisë, si pjesë e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian. Respektimi i procedurave kushtetuese në këto raste nuk përbën zgjedhje politike, por detyrim institucional të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Mandati përfaqësues nuk mund të përdoret për të krijuar pengesa procedurale apo perceptim mbrojtjeje ndaj askujt që përballet me drejtësinë. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i rregullave procedurale janë themeli i besimit publik në institucionet demokratike. Për këto arsye, kërkojmë:

1. Thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

2. Shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme brenda afateve kushtetuese dhe rregullore, pa vonesa apo ndërhyrje politike.

3. Respektimin e plotë të parimit se askush nuk është mbi ligjin, duke garantuar funksionimin normal, transparent dhe të paanshëm të procedurave parlamentare.

Qytetarët shqiptarë presin nga Kuvendi të ushtrojë kompetencat e tij në përputhje me Kushtetutën, shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike që Shqipëria ka zgjedhur të ndjekë. Çdo shmangie nga këto parime rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të përbëjë një hap pas në konsolidimin demokratik të vendit” thonë në letrën e tyre 7 organizatat e shoqërisë civile. 

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama tha se tashmë që Gjykata Kushtetuese pezulloi Ballukun, SPAK mund të vijojë ta hetojë, pa pasur asnjë nxitim për heqjen e imunitetit. Komisioni Europian, nga ana tjetër, në një përgjigje ekskluzive për Report Tv tha se Kuvendi duhet të veprojë pa humbur kohë.