Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se PS kërkon të ndryshojë Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që të kufizojë pezullimin nga detyra të ministrave nga gjykatat.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku komentoi deklaratat e sotme të kryeministrit Edi Rama për të ndërhyrë dhe ndryshuar Kodin.

Spahiu shtoi gjithashtu prokuroria dhe gjykatat kanë shfrytëzuar një paaftësi të ligjvënësve shqiptarë të vitit 2012, të cilët sipas tij ‘kur kanë kufizuar imunitetin e deputetëve dhe anëtarëve të kabinetit, nuk e kanë pasur të qartë dhe kanë lënë shteg për interpretime për çështjen e imunitetit dhe përjashtimeve nga ligji për anëtarët e kabinetit, duke mos i barazuar ata me deputetët’.

“Vendimi i Kushtetueses ka përmasa përtej çështjes që gjykohet. Sepse krijon një praktikë qoftë administrative, qoftë gjyqësore për të ardhmen. Vendimi i dy ditëve më parë, pavarësisht se ishte barazim, konsiderohet një rrëzim i kërkesës së qeverisë dhe lënien në fuqi të masës së gjykatës për pezullimin nga detyra të Ballukut.

Por e gjithë zhurma nuk lidhet vetëm me Ballukun. Rama nuk po mbron Ballukun, por balancën e pushteteve dhe efektet që mund të ketë në të ardhmen një precedent negativ, ku një kërkesë e tillë për pezullim nga detyra, teorikisht mund të bëhet edhe për kryeministrin. Kjo do të thotë se nëse gjykata ka vlerësuar që anëtarët e kabinetit nuk kanë imunitet të barabartë me deputetët, ku efektet e masës ndaluese të pezullimit nga detyra, gjykata mund t’i aplikojë për anëtarët e kabinetit, këtu nuk bëhet fjalë më për Ballukun, pasi çështja Balluku i përket të shkuarës.

Socialistët po përgatiten për të ndryshuar kodin e procedurës penale. Prokuroria dhe gjykata kanë shfrytëzuar një paaftësi absolute të parlamentarëve shqiptarë, që do të thotë se ligjvënësit në 2012, kur kanë kufizuar imunitetin e deputetëve dhe anëtarëve të kabinetit, nuk e kanë pasur të qartë dhe kanë lënë shteg për interpretime për çështjen e imunitetit dhe përjashtimeve nga ligji për anëtarët e kabinetit, duke mos i barazuar ata me deputetët. Për këtë arsye ata do të shkojnë në ndryshim të ligjit”, tha mes të tjerash Spahiu.

Kujtojmë se ditën e sotme pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, teksa u diskutua për pezullimin e Ballukut nga detyra, Rama ka paralajmëruar ndërhyrje në legjislacion për të zgjidhur këtë ngërç institucional.

Rama tha gjithashtu se nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK, të cilët kanë kërkuar arrestimin e Ballukut, por për këtë duhet që asaj t’i hiqet nga Kuvendi imuniteti i deputetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:45
‘Basti’ i Prençit: Një nga gjyqtarët e Kushtetueses do të merret nën hetim nga SPAK

 

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, është shprehur se shumë shpejtë një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese do të merret nën hetim nga SPAK.

Komentet Prençi i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku komentoi vendimin e Kushtetueses për rastin e Belinda Ballukut.

Teksa e cilësoi vendimin të drejtë, Prençi tha se gjyqtarët në Kushtetuese votuan 4 me 4 për shkak të presioneve të qeverisë, pasi sipas tij, me provat e forta që SPAK ka dorëzuar për Ballukun, votimi do të shkonte 8 me 0.

“Ai vendimi për Ballukun që ka shkuar 4 me 4, ka shkuar si rezultat i sforcos politike që ka ushtruar kryeministri i Shqipërisë. Mos u habit dhe këtu do të jetmi, që njëri nga gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese shumë shpejtë do të futet në hetim nga SPAK.

Epo pikërisht ata gjykatësit e Kushtetueses i kanë takuar këto baronët e hajdutërisë shqiptare. Gjykata Kushtetuese, e ndodhur nën presionin e Qeverisë ka shkuar 4 me 4, sepse do të shkonte 8 me 0. Kushtetuesja ka njohur 3 prova shumë të rëndësishme. Kur është njohur me provat, në heshtje i ka dhënë të drejtë SPAK dhe GJKKO-së se përse e kanë kërkuar këtë gjë, por në publik nuk është shprehur nga presionet”, tha mes të tjerash Prençi.

Ora 22:23
‘Balluku’/ Spahiu: Në gjithë botën gjykatat negociojnë masat e sigurimit mes Prokurorisë dhe mbrojtjes

 

Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur se në të gjithë botën, masat e sigurimit negociohen nga gjykatat mes prokurorisë dhe palës mbrojtëse.

Komentet Spahiu i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’, ku komentoi mbi përplasjet e fundit mes qeverisë dhe drejtësisë për rastin e Belinda Ballukut.

Sipas Spahiut, për këtë çështje ka gabuar edhe kryeministri Edi Rama, por edhe SPAK. Spahiu shtoi se qeveria duhet ta pranonte vendimin e SPAK për pezullimin e Ballukut dhe më pas pezullimin ta bënte objekt ankimimesh dhe të ndryshonte Kodin e Procedurës Penale.

“Unë mendoj se ka një gabim edhe nga ana e Ramës, por edhe nga ana e SPAK. Gabimi i Ramës është se nuk gjeti zgjidhje para se t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese. Që do të thotë se Rama është shumë i vonuar në ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale. Në të gjithë vendet ku funksionon shteti juridik dhe sidomos në çështjen e masave të sigurisë në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, etj, masat e sigurimit janë vendime që negociohen nga Gjykata mes të dy palëve, mes prokurorisë dhe mbrojtjes.

Marrim rastin konkret. Unë dua të shoh pozitivisht. SPAK nuk mori një masë të ashpër ndaj Ballukut, mori një masë të lehtë, e vënë nën presionin real të gjithë faktorëve që thonë se SPAK s’ka masë tjetër dhe i lë nga 2 vite në paraburgim pa i çuar çështjet për gjykim. Nisur nga kjo, SPAK mori masën e pezullimit. Qeveria duhet ta linte të pezulluar dhe vendimin e pezullimit të bënte precedentë ankimesh dhe të ndryshonte kodin. Pse humbën të dy palët. E para ka humbur qeveria, sepse nga një masë e lehtë e ka vënë në pozitë që ta çojë në arrest.

Dhe sot po lëkundet gjithë pozicioni i qeverisë, edhe në raport me faktorin ndërkombëtar, që për një masë sigurimi po bëhet objekt debati. Pse humb dhe SPAK. Sepse rrezikon që nga një çështje e një individi, nëse Parlamenti ndryshon kodin, atëherë ja heq mundësinë sot dhe mot prokurorisë që të pezullojë anëtarët e Parlamentit”, tha mes të tjerash Spahiu.

Ora 21:58
Prençi: Kuvendi t’i heqë imunitetin Ballukut, zv.kryeministrja të përballet si qytetare e lirë me drejtësinë

 

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, ka kërkuar që Parlamenti t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut, në mënyrë që ajo të përballet me drejtësinë.

Komentet Prençi i bëri në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, ku tha se për Ballukun ka dhe do të dalin edhe në vazhdim prova të reja, pasi sipas tij, ajo është e ‘zhytur’ në korrupsion.

Ai shtoi gjithashtu se masa e pezullimit nga detyra të Ballukut e kërkuar nga SPAK është plotësisht në përputhje me ligjin.

“SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë marrë vendime në përputhje me ligjin, duke i pasur parasysh këto aspekte ligjore dhe kushtetuese. Prandaj Kushtetuesja vajti në një vendim me mos-vendim, pavarësisht se ai shumë shpejt do të zbardhet dhe te interpretimi do të dallojmë qartë çfarë ka gjetur Gjykata Kushtetuese. Pezullimin si masë sigurie e ka ekskluzivitet vetëm Gjykata dhe jo kryeministri. Kjo do të thotë që Gjykata nuk i ka shkelur në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.

E dyta, parlamenti ka një detyrim për t’ia hequr imunitetin dhe për ta bërë qytetare të lirë zv.kryeministren, sepse pavarësisht se ata nuk gjykojnë mbi bazën e provave, deputetët e parlamentit, ata duhet të njihen me sa prova dhe çfarë materialesh ka në ngarkim Balluku. Po sikur nesër, Belinda Ballukut t’i komunikohet një akuzë tjetër për pastrim të produkteve të veprës penale dhe me të drejtë do insistojë SPAK për heqjen e mandatit dhe mund të kalojmë te një masë më e shtrënguar, për të shkuar te arresti me burg apo arresti i shtëpisë. Për këto dy masa dhe kontrollin personal dhe të shtëpisë është e përjashtuar Balluku dhe ato nuk e kanë prekur në këto 2 pika. Nesër pritet të dalin shumë gjëra. Dosja e Ballukut është kryekëput korrupsion dhe pastrim parash. Jo vetëm, por me disa biznesmenë”, tha mes të tjerash Prençi.

Prençi foli edhe për dosjen e AKSHI-t për të cilën tha se ka prova të forta për korrupsion, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk po qeveris, por sipas tij, po drejton një grup hajdutësh.

“Kryeministri nuk ka pse bën të paditurin. Ai tani është bindur se nuk ka drejtuar një qeveri, por një grup hajdutësh. Një grup kriminal që ka vjedhur Shqipërinë. Rama duhet t’u kërkojë falje shqiptarëve, që me provat e dosjes së AKSHI-t nuk drejton një qeveri, por një bordello. Është menaxher i një burdelloje”, tha mes të tjerash Prençi.