TIRANE – Ka qenë i menjëhershëm reagimi i deputetit socialist, Pandeli Majko, ndaj deklaratës së sotme të Partisë Demokratike, e cila nxori përfundime mbi takimin e ish kryeministrit me të rinjtë eurosocialistë në Jalë, ndërsa shtoi se PD e ka kthyer të gjithën këtë në një fushatë zhurme për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale.

Majko tha se “ka kohë që linja zyrtare e qeverisë merr përsipër të shpjegojë se çfarë thonë dhe “mendojnë” përfaqësuesit e opozitës. Ky humor gushti nuk i shërben askujt dhe për asgjë, veç pushuesve kurjoz për “hungërimat nga kopshti zoologjik” i politikës në Shqipëri”, shkruan Majko në profilin e tij në Facebook.

Sipas Pandeli Majkos, nuk është vënë në dyshim qëndrimi pro i Partisë Socialiste për ndryshimet kushtetuese në kufizimin e imunitetit, dhe se të tjerat sipas tij “janë fjalë për eja të bëjmë sikur zihemi për ndershmërinë e politikës”.

“Debati për imunitetin nuk është debati që do të verifikojë “ndershmërinë” e politikës. “Ndarja” që i ka bërë kësaj historie linja zyrtare e PD është se - Kush ka “frikë” nga heqja e imuniteteve është i pandershëm!?...Dhe kush është “trim”, është i ndershëm”, lexohet në profilin e ish kryeministrit Majko, në Facebook.

(gm/Shqiptarja.com)