Imuniteti, në përgjim telefonatat
e gjyqtarëve dhe e deputetëve

Imuniteti, në përgjim telefonatat <br />e gjyqtarëve dhe e deputetëve
TIRANE- Në rast se drafti konsensual për kufizimin e imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët do miratohet në Kuvend më 6 gusht, apo në shtator atëherë e gjithë kjo kategori të zgjedhurish dhe nëpunësish të lartë do të mund të përgjohen nga prokuroria.

Gazeta "Mapo" shkruan sot, në kryeartikullin e saj,se pavarësisht se në nenet e miratuara nuk flitet për përgjim, mënyra sesi janë hartuar amendamentet kushtetuese në këtë pikë i japin mundësi prokurorisë që para se të ngrejë akuzën për një deputet apo zyrtar tjetër, të mund të përdorë mjetet e vetë të survejimit të telefonave apo mjeteve të tjera të komunikimit të tyre.

Gazeta shkruan se një fakt i tillë konfirmohet nga deputetë juristë të cilët kanë bërë të ditur gjithashtu se kjo është pranuar tashmë nga të dyja partitë e mëdha. Ata janë të vetëdijshme për ndryshimin e bërë dhe të miratuar deri më tani vetëm në parim.

DRAFTI I IMUNITETIT
Të martën e shkuar, Këshilli i Legjislacionit dhe komisionit të Ligjeve miratoi në parim me unanimitet draftin e negociuar nga demokratët dhe socialistët për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve dhe deputetëve. Në nenin 73 të Kushtetutës ku dhe trajtohet çështja e imunitetit, nuk përcaktohet asnjë lloj kufizimi ndaj organeve të ligjit për veprime të tilla. Në pikën dy të këtij neni të ndryshuar përcaktohet vetëm se deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdolloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës pa autorizimin e Kuvendit, por nuk vendoset në të ndonjë ndalesë për mjetet që mund të përdorë prokuroria në hetimet paraprake siç mund të jetë dhe përgjimi i telefonatave.

IBRAHIMI: PROKURORI ME 84 VOTA
Njohësi i Kushtetutës, Gent Ibrahimi, vlerëson nismën e dy partive, por sheh si efekt anësor mundësinë e keqpërdorimit të saj. Sipas tij kjo nismë nuk i mbron më deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga çdo formë e hetimit paraprak, ku përfshihet edhe përgjimi.

"Ajo çka bëhet me këto ndryshime, është që, çdo lloj mbrojtje që ka të bëjë me hetimin paraprak, bie. Pra një prokuror sot në Shqipëri është në gjendje të fillojë një hetim edhe të fshehtë kundër një deputeti, gjyqtari apo ministri ta përgjojë atë, të përdorë llojet e tjerë të hetimit, siç janë ndjekjet, gjurmimet apo dhe mund ta thërrasi personin që ka dijeni për çështjet, pra mund të bëjë gjithçka që ja dikton nevoja e hetimit, pa qenë nevoja për të kërkuar autorizim nga Kuvendi për deputetët dhe nga KLD për gjyqtarët. Imuniteti ka qenë mbrojtje reale, tani nuk ekziston më kjo mbrojtje. Natyrisht, që mundësia teorike për abuzim ekziston", deklaron Ibrahimi në një intervistë për AS.
.
Përballë kësaj situate, ai thotë se në Kushtetutë duhet të garantohet vullneti i opozitës dhe një garanci do të ishte zgjedhja me 84 vota e Prokurorit të Përgjithshëm dhe gjyqtarëve të gjykatave më të larta në vend. Sipas tij, kjo nuk do të nevojitej nëse do të ishte ende në fuqi zgjedhja e presidentit me shumicë të cilësuar në të gjitha raundet.

Gazeta Shqip shkruan sot se shteti shqiptar rezulton i mirëpajisur me aparatura që kanë kushtuar miliona euro për të mbajtur nën monitorim biznesmenë, kriminelë e politikanë. Nga ana e tyre biznesmenët po përdorin internetin për të shmangur përgjimet.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit