Rama është shprehur nëpërmjet profilit të tij zyrtar në Twitter, se nuk do të votojë heqjen e imunitetit nëse deri atëherë nuk do diskutohen të gjitha propozimet e PS-së.
“Sharjet e shpifjet e perditshme te Saliut s'na bejne asnje pershtypje.Nuk ka konsensus ne 6 gusht pa diskutuar gjithe propozimet tona!”, -lexohet në statusin e kryesocialistit Rama në Twitter.
Reagimi i kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, erdhi menjëherë pas deklaratës së PD-së me thirrjet e saj të vazhdueshme për të hequr imunitetin më 6 gusht.
Partia Demokratike, akuzoi sot Ramën edhe për deklaratën ndaj kreut të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane, Luca Volonte, duke e quajtur atë “një sulm vulgar dhe absurd”, ndërsa ky i fundit vetëm sa i rikujtoi se ka qenë kryesocialisti Rama ai që ka kërkuar ndryshimet Kushtetuese.
KLOSI: BERISHA REFLEKTO MOS KTHE 6 GUSHTIN NE FATKEQESI
Në emër të PS-së i kërkojmë Sali Berishës nëse do që vendi ynë të integrohet sa më shpejt, ai duhet të reflektohet dhe datën 6 gusht të mos e kthejë në një ditë fatkeqësie për vendin tonë”. Është reagimi i sotëm i PS-së nëpërmjet një prononcimi për shtyp nga Blendi Klosi, sekretar organizativ i kësaj partie.
“Ajo çka ne kërkojmë- shtoi më tej Klosi- është përmbushja e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Europian një prej tyre një sistem drejtësie të pavarur... Pikërisht këtë kërkon edhe Partia Socialiste:Krahas ndryshimit të Kushtetutës për të kufizuar imunitetin, të diskutojmë edhe për ato ndryshime që sigurojnë pavarësinë e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe çrrënjosjen e kulturës se pandëshkueshmërisë.”
Klosi përsëriti qëndrimin se PS nuk është kundër heqjes së imunitetit, por është përmbushja e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Europian, një prej tyre ndërtimi i një sistemi drejtësie të pavarur.
“Pikërisht këtë kërkon edhe Partia Socialiste:Krahas ndryshimit të Kushtetutës për të kufizuar imunitetin, të diskutojmë edhe për ato ndryshime që sigurojnë pavarësinë e drejtësisë, luftën ndaj korrupsionit dhe çrrënjosjen e kulturës se pandëshkueshmërisë.”
Seanca e jashtëzakonshme për heqjen ose kufizimin e imunitetit është parashikuar për tu zhvilluar më 6 gusht, të hënën. PS bën thirrje që përveç heqjes së imunitetit të bëhen dhe debate për ndryshimet e tjera në Kushtetutë që reformojnë sistemin e drejtësisë. Nga ana e saj PD akuzon PS se qëllimisht po pengon heqjen e imunitetit i cili shemb murin e korrupsionit pasi do të mbrojë miliarderët e saj.
(gm/sg/Shqiptarja.com)