Imzot Gjergj Meta uron për Krishtlindje: Paqe dhe shpresë për një botë të trazuar

Imzot Gjergj Meta uron për Krishtlindje: Paqe dhe shpresë për një botë të trazuar

Imzot Gjergj Meta

Presidenti i KISH, Imzot Gjergj Meta me anë të një mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët ortodoks për festën e Krishtlindjeve.

Imzot Meta ka uruar paqe dhe shpresë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi. Ndërkohë nuk ka harruar njerëzit në Ukrainë apo Lindjen e Mesme të cilët po jetojnë mes luftës dhe varfërisë.

Mesazhi i plotë:

Të dashur miq,

Në vitin 2005 kinematografia solli në vëmendjen e publikut një ngjarje të dhjetorit të vitit 1914 me filmin “Joyeux Noël”.

Dy grupe ushtarësh, në dy fronte të ndryshme, gjatë Luftës së Parë Botërore, gjermanë dhe britanikë, dëgjuan njëri-tjetrin duke kënduar këngë krishtlindjesh dhe bënë një armëpushim disa orësh duke u takuar në një hapësirë neutrale e duke festuar me njëri-tjetrin. I dimë pasojat katastrofike të dy luftërave botërore, ama ky fokus kinematografik na tregon se njerëzit duan të nxjerrin nga këto situata tragjike e të kujtojnë atë çka i përgjigjet më mirë dëshirës së thellë të njeriut: paqen.

Për ne të krishterët fëmija që lind, pra Jezusi, është Princi i paqes, ai që na jep paqen, por jo si e jep bota. Ai nuk na jep një armëpushim të përkohshëm, por një paqe që nuk mund të na e marrë askush, sepse është paqja e zemrës, është paqe që vjen nga lart dhe zë vend në shpirtin e atyre që e duan Hyjin. Natën e Krishtlindjes në të gjitha kishat tona do të jehojë fjala e Ungjillit dhe kënga e engjëjve: “Lavdi Hyjit në qiell e paqe mbi tokë njerëzve që ai i ka për zemër”.

Të dashur miq! U bënë disa vite që po asistojmë në konflikte të ashpra e tragjike për disa kombe, por që kanë prekur edhe shoqëritë tona, drejtëpërdrejtë apo edhe tërthorazi. Vetëm Zoti mund t’i garantojë njeriut një paqe që nuk mbaron, që nuk prishet e që nuk ndryshket. Larg Zotit, apo pranë një zoti që krijojmë ne në mendjen tonë, një zoti përjashtues dhe diskriminues, nuk do të ketë paqe kurrë. Zoti i luftës është gjithmonë një idhull që duhet refuzuar, kurse Hyji i paqes na është zbuluar në një foshnje hyjnore, në heshtjen dhe errësirën e një nate e u shfaqet atyre që kanë dëshirën dhe vullnetin ta ndjekin atë.

Në prag të këtyre Krishtlindjeve për ne të krishterët katolikë nis edhe “Jubileu i shpresës” që Papa Françesku e ka shpallur në maj të këtij viti me një letër drejtuar popullit të Hyjit me titull “Shpresa nuk turpëron”. Viti jubilar në vetë thelbin e tij ka takimin dhe pajtimin e njeriut me Hyjin dhe me të tjerët. Papa Francesku ka dashur t’ia kushtojë këtë Jubile shpresës, ndoshta sepse pikërisht ky virtyt është edhe më i plagosuri në shoqërinë e sotshme njerëzore në përgjithësi, por edhe ndër ne këtu në Shqipëri.

Paqja dhe shpresa janë dy fjalët që dëshiroj t’ju dorëzoj të gjithëve ju sot. Në rradhë të parë atyre që festojnë Krishtlindje, bashkësive të krishtera katolike dhe jo katolike. Janë dy fjalë dhe dy urime. Paqja është e mundur, sepse është premtuar nga Hyji e premtimi i Hyjit për ne bëhet shpresë që nuk turpëron, nuk zhgënjen, shpresë e sigurtë. Ai ka ardhur të na japë paqen që ne aq shumë e dëshirojmë e që kurrë nuk mbaron.

Paqja dhe shpresa vijnë nga Hyji, por zënë vend më së pari në zemrën e njeriut e vazhdojnë në familje duke u përhapur edhe në shoqëri e në mbarë botën. Paqe dhe shpresë uroj për më të varfërit, për të vetmuarit, për të burgosurit dhe të sëmurët e spitaleve apo familjeve tona, për të papunët, për viktimat e padrejtësisë dhe të diskriminimit në shoqërinë tonë, për të ndrydhurit dhe të pamotivuarit, për të rinjtë dhe familjet. E këtë paqe e shpresë ia uroj sot të gjithë shqiptarëve kudo që janë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi e nëpër botë. Paqe dhe shpresë uroj dhe lutem sot për Ukrainën, Lindjen e Mesme, Afrikën, Azinë dhe Amerikën latine. Paqe dhe shpresë uroj sot për çdo zemër të plagosur, por që kërkon të jetojë jetën që Zoti i ka dhënë.

Përshumot Krishtlindja dhe Viti i Ri 2025! Jubile të bekuar të gjithëve!

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë