In memoriam/ Amaneti i Xhanfise
 Kekos në vitin e fundit të jetës

In memoriam/ Amaneti i Xhanfise<br /> Kekos në vitin e fundit të jetës
TIRANE - Xhanfise Keko, regjisorja që ia kushtoi aktivitetin artistik botës së madhe të fëmijëve të vegjël, sikur ta dinte se duhej të nxitonte, i hodhi në letër kujtimet e viteve krijuese, duke lënë pas për regjisorët e rinj më shumë se rrëfimin e sinqertë të koleges së moshuar, një traktat me vlerë sesi punohet dhe ndërtohen marrëdhëniet me fëmijët aktorë, si bashkëpunohet me skenaristët, operatorët, piktorët, kompozitorët e aktorët me të cilët fati apo dëshira të bashkon në krijimtari, si luftohet dhe si fitohet beteja artistike me veten dhe të tjerët.

Por, jo vetëm atyre. Edhe atyre që e kanë në dorë të rilindë filmi për fëmijë. Dhe në ditarin e vitit të fundit të jetës duket sikur lë një amanet, ku politikanëve veçanërisht dhe pastaj kineastëve të rinj iu lutet: “Mos e vdisni filmin për fëmijë”. Me këto fjalë, me këtë brengë iu drejtohet në shënimet e fundit të jetës, regjisorja Xhanfise Keko. Po botojmë disa fragmente nga libri “Ditët e jetës sime”. Ja pse ajo vazhdon të qëndrojë ende me sytë nga ne dhe të presë nga ne, edhe atje në botën e përtejme.

Në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta këto kujtime të ditëve të fundit të jetës së regjisores së shquar na vërtetojnë edhe një herë atë që e dimë prej kohësh se, filmi për fëmijë mbetet një nga dashuritë më të mëdha të ikonës së filmit shqiptar për fëmijë... Por tani kjo dashuri na mungon. 
 
Meditim për vete dhe filmin për fëmijë
“Në trembëdhjetë vite pune me fëmijët dhe pranë fëmijëve, kam parë dhjetra mijra fëmijë, kam fotografuar mijra fëmijë, kam provuar qindra fëmijë, për të zbuluar dhjetra talente që fshiheshin mes tyre. Duke bërë bilancin e kësaj pune më rezulton se, në dymbëdhjetë filma kam aktivizuar rreth gjashtëdhjetë fëmijë në role të ndryshme, njëri më i talentuar se tjetri. Pse ta fsheh, të gjithë këta fëmijë më kanë lodhur shumë, por në të njëjtën kohë më kanë sjellë dhe shumë gëzime. Ja pse vazhdoj t’i dua të gjithë njësoj, ashtu si ditën e parë kur i kam njohur.

Sot, sinqerisht më vjen keq që Genci Mosho, Zhaklina Dhimojani apo Saimir Koka nuk u bënë dot aktorë, pasi mund të ishin bërë aktorë shumë të mirë, ashtu siç u bënë Herion Mustafaraj apo Enea Zhegu.
Edhe pse më vjen keq, nuk ndihem e trishtuar që pjesa më e madhe e fëmijëve me të cilët punova, nuk u bënë dot aktorë.

Shpesh, duke ndjekur filmat që kam realizuar në kanale të ndryshme televizive, më merr malli për të vegjëlit e mi që sot janë rritur dhe, sa herë kujtoj ata, aq herë mendoj sa bukur do ishte t’i shihja e dëgjoja pas kaq vitesh, duke komentuar ngjarjet, situatat, fenomenet, marrëdhëniet, bisedat, detajet, atmosferën... Çdo gjë të asaj kohe.

Pastaj kujtohem për ëndrrën e parealizuar në vite që t’i takoj edhe një herë sot të gjithë, ashtu si shumë vite më parë kur i takova për të bërë një fotografi së bashku. Do ishte shumë bukur, edhe pse e di që është e pamundur.

Sot, shumë prej tyre jetojnë jashtë... Herion Mustafaraj, Rubin Pitarka Saimir Koka, Selma Sotirllari, Gentian Basha në Amerikë, Kristaq Burdhima në Izrael, Zhaklina Dhimojani, Anila Kardhashi, Aurora Kati në Itali, Ilir Çelia, Alket Mato, Juna Tomorri në Gjermani.. E vetmja gjë që më mbetet, në pritje për t’i takuar e çmallur kur kthehen me pushime në Shqipëri, është të ruaj kontaktet.

     Duke u kthyer te koha kur të gjithë këta ishin fëmijë dhe unë e zonja për të punuar, kujtoj se...
Filmat e parë i realizova vetëm falë dëshirës dhe pasionit për të bërë film, pasi më mungonte krejtësisht eksperienca në filmin artistik aq sa mund të them, nuk dija ku isha vetë pa le më të organizoja sheshin e xhirimit dhe të punoja me aktorët fëmijë e të rritur.

Më pas, në çdo hap të krijimtarisë time, duke nisur nga filmi “Mimoza llastica” deri tek filmi “Taulanti kërkon një motër”,  kam punuar duke mbajtur në dorë skenarin të mbushur me shënime dhe në mendje “çelësin” e suksesit të një regjisori që punon me fëmijë ... “të ruaj sinqeritetin dhe natyrshmërinë e fëmijëve, duke krijuar tipa e karaktere që mbahen mend dhe të sinkronizojë në një të vetëm sinqeritetin dhe natyrshmërinë e fëmijëve me interpretimin e aktorëve profesionistë”...

Që të ndodhë kjo, kërkesat e regjisorëve ndaj skenarëve për fëmijë duhet të jenë edhe më të mëdha e të larta nga ato të filmave për të rritur, dhe skenarët e filmave për fëmijë duhen shkruar detyrimisht, jo vetëm nga shkrimtarët më seriozë por dhe shkrimtarët që e njohin më mirë dhe më thellë botën e fëmijëve.

Sot, dikush mund të mos e besojë, por, në bashkëpunim tim me shkrimtarët Bedri Dedja, Nasho Jorgaqi, Kiço Blushi, Flamur Topi, Skifter Këlliçi, Anastas Kondo, Shpresa Vreto, Bashkim Hoxha, Natasha Lako apo skenaristët Nexhati Tafa, Peçi Dado e Muharrem Skënderi, unë jam udhëhequr nga mendimi se, mirëkuptimi me autorin e skenarit është shumë i rëndësishëm për fatet e bashkëpunimit dhe se pa mirëkuptim nuk mund të bashkëpunohet.
 
Unë jam e lumtur sot pasi këta fëmijë më kanë dhënë shumë kënaqësi në jetë, më kanë bërë të njohur nga gjithë njerëzit, më kanë vlerësuar nga shteti, më kanë nderuar me çmime, brenda e jashtë Shqipërisë. Por, jo vetëm mua. Edhe kolegët e mi Dhimitër Anagnosti, Hysen Hakani, Fehmi Oshafi apo Spartak Pecani, tashmë e kanë provuar kënaqësinë e punës me fëmijë dhe kënaqësinë e suksesit nga filmat për fëmijë.
Në të njejtën kohë, po kaq e lumtur jam sot edhe që fëmijët kanë qenë dhe mbetën kritikët më të ashpër dhe më të sinqertë të filmave të mi.

Është rasti këtu të them se, në jetën time artistike, më shumë se mendimi kritik i estetëve të kinemasë, mua personalisht më ka interesuar mendimi i fëmijëve. E thënë ndryshe, gjithnjë kam menduar se për një krijues që e do vërtet filmin për fëmijë, mendimi i fëmijëve, këtyre spektatorëve të ashpër, mbetet vendimtar.

Pse ta fsheh, ndryshe nga kritikët e filmit apo dhe kolegët e filmit, fëmijët kanë qenë më të sinqertë, më të vërtetë, më dashamirës e më të ashpër me realizimet e mia. Kjo gjë mua më ka pëlqyer dhe më ka lumturuar nga filmi në film.

Për afro dyzetë vjet, unë dhe kolegët e mi Hysen Hakani, Todi Bozo, Vitori Çeli, Kristaq Dhamo, Gëzim Erebara, Ismail Zhabjaku, Dhimitër Anagnosti, Spartak Pecani, Fehmi Oshafi, Besim Kurti, Drita Koçi, Piro Milkani, Gavrosh Haxhihyseni, Eduard Makria, Artan Minarolli, bëmë sa mundëm për fëmijët tanë.
Po përpiqem t’i radhis sipas viteve.

Fatmirësisht, i pari film për fëmijë apo që pati në qendër të ngjarjeve të tij një fëmijë, është filmi i parë shqiptar, “Fëmijët e saj”, realizuar nga regjisori Hysen Hakani në vitin 1957. Më pas u realizuan... 1961 - “Debatik”, 1970 - “Lugina e pushkatarëve”, 1971 - “Mëngjese lufte”, 1971 - “Guximtarët”, 1971 - “A,B,C... Zh”, 1972 - “Kryengritje në pallat”, 1973 - “Mimoza llastica”, 1974 - “Qyteti më i ri në botë”, 1975 - “Beni ecën vetë”, 1975 - “Lumë drite”, 1976 - “Lulëkuqet mbi mure”, 1976 - “Tingujt e luftës”, 1977 - “Tomka dhe shokët e tij”, 1978 - “Pas gjurmëve”, 1979 - “Në shtëpinë tonë”, 1979 - “Balonat”, 1980 - “Një gjeneral kapet rob”, 1980 - “Partizani i vogël Velo”, 1981 - “Shoku ynë Tili”, 1981 - “Kur xhirohej një film”, 1982 - “Një ditë e pushimeve”, 1982 - “Një vonesë e vogël”, 1983 - “Fraktura”, 1984 - “Taulanti kërkon një motër”, 1985 - “Mondi dhe Diana”, 1986 - “Një jetë më shumë”, 1986 - “Gabimi”, 1989 - “Djali elastik”. I fundit film për fëmijë është “Plumbi prej plasteline”, realizuar nga regjisori Artan Minarolli në vitin 1995.

Tani është radha e shtetit të mos e lerë filmin për fëmijë të vdesë dhe e regjisorëve të rinj të provojnë.
Jam e bindur se, në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Filmit “Marubi”, ka plot djem dhe vajza të talentuar që mund dhe duhet të nxiten e stimulohen për t’u marrë me filmin për fëmijë.
Më pas, në se një ditë ata do arrijnë ta prekin kënaqësinë e punës me fëmijë, me eksperiencën time i siguroj këta të rinj se, nuk do të largohen më prej tyre.

Ja, këto mendoj sot, që jam e shkëputur fizikisht nga ai art, që e desha aq shumë dhe shpirtërisht nuk më braktisi kurrë.
Dhe, nuk jam penduar kurrë për zgjedhjen që bëra në jetë. Filmi për fëmijë është dhe mbetet një nga dashuritë e mia më të mëdha. 
tomka

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin

Kukës/ Emigrantët kthehen për pushime, gjallërojnë Shishtavecin