In Memoriam, ndërron jetë Drita Siliqi

In Memoriam, ndërron jetë Drita Siliqi
 TIRANE - Drita Siliqi, bashkëshortja e shkrimtarit të njohur Drago Siliqi, më pesë gusht 2013 u nda nga jeta. Ajo ka qenë një grua intelektuale që ka kontribuar ne edukimin e disa brezave në fushën e arsimit dhe të botimeve. 

Drita ka punuar si pedagoge, publiciste dhe së fundmi si përkthyese nga italishtja në shqip. Drita Siliqi (Shundi) u lind në Tiranë, më 2 mars të vitit 1933, në një familje patriote tiranase. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tirane. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe.

Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga një familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit. Ndërsa ishte studente në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme Petro Nini Luarasi dhe Sami Frashëri të Tiranës, dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën “Shqiptarja e Re”.

Në vitin 1957, Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat Darinën dhe Laurën. Gjithë jetën e saj Drita Siliqi ja dedikoi vajzave të saj, nderimit të emrit të bashkëshortit Drago Siliqi si dhe një pune të palodhur intelektuale. Ajo botoi veprën e plotë të Drago Siliqit, u mor me studimin e jetës dhe veprës së Dora D’Istrias (Elena Gjika), përktheu librin “Rinia e një shqiptareje” (viti 2002), botoi librin me studime “Gruaja shqiptare, probleme të gruas në shtypin e Rilindjes dhe pavarësisë” (viti 2003), përktheu nga italishtja librat “Seksi i shpërfillur”dhe “Intervistë me historinë” të gazetares dhe publicistes së njohur italiane Oriana Fallaci.  Në vitin 2000 ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara pranë vajzës së saj.  Ajo la prapa prapa vajzat e saj Darina  Demiri (Siliqi) dhe Laura Konda (Siliqi) me familjet e tyre. 

(Ne foto: Drita me bashkëshortin Drago Siliqi)

Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com, 13 gusht 2013
Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Miratimi i ndryshimeve në Qeveri, Basha: Deputetët e PD, shfaqje të dala boje! Teatri i sotëm është ana tjetër e medaljes së pazarit Rama-Berisha

Miratimi i ndryshimeve në Qeveri, Basha: Deputetët e PD, shfaqje të dala boje! Teatri i sotëm është ana tjetër e medaljes së pazarit Rama-Berisha