In memoriam, një ditë në
shtëpinë e Vaçe Zelës

In memoriam, një ditë në<br />shtëpinë e Vaçe Zelës
TIRANE- Vaçe Zela pati fat të madh se erdhi në Tiranë kur jeta artistike ishte në kulmin e saj. Në vitin 1957, Tirana ishte mbushur me një rini universitare, me teatro, ansamble, estrada, me artistë që kishin ardhur nga Bashkimi Sovjetik, që kishin studiuar në Leningrad. Ndërsa trendi muzikor deri në atë kohë ishin një grup këngëtaresh e këngëtarësh që ndiqnin ritme të prapambetura të rumbos, të tangos dhe serenatës, që ishin ritme të lodhura. Por nga ana tjetër shqiptarët kishin filluar të kishin shije më të zhvilluara se muzika që iu ofrohej brenda vendit, sepse ndiqnin festivalet në Europë, Sanremon, etj.

Prej këtyre ndikimeve, Tirana u bë një qytet që nisi të ndizej nga ritmet e xhazit. Ishte Vaçe Zela që iu dha një zë të veçantë këtyre ritmeve, duke sjellë një tingull të ri, të padëgjuar. Kështu ajo erdhi dhe u rrit në festivalet e këngës në RTSH. Kjo lloj energjie muzikore në Shqipëri nuk mund të vinte ndryshe, veçse duke u përshtatur me temat komuniste, ku i këndohej jetës së re, pranverës, etj. Por lulishteve ose në baret live këndoheshin këngë të Sanremos. Kjo atmosferë entuziazmi në muzikë lidhej edhe me faktin se jeta e vendit ishte në një gjendje shprese, energjie dhe optimizmi.

Pra Vaçe Zela hyri në muzikën shqiptare në këtë atmosferë dhe që me daljen e saj për herë të parë në skenë, ajo nxori në “pension” shumë nga yjet e Estradës, ku ishte krijuar një elitë e cila përfshihej edhe në koncerte shtetërore. Vaçja kishte një zë që i bashkohej mrekullisht muzikës, ritmit të xhazit, pavarësisht se teksti ishte tjetër. Kjo bëri që kompozitorë të njohur të bënin këngë për të, si Tish Daija, Agim Krajka, Fedinand Deda, mjeshtër që ditën të shkruanin muzikë për aftësitë e saj vokale. Edhe Avni Mula që ishte një muzikant i shkolluar në Rusi dhe me shumë pretendime ia jepte këngët Vaçe Zelës.

Kështu rreth moshës 35-vjeçare, në vitet ‘70 Vaçe Zela ishte një personalitet i padiskutueshëm i muzikës shqiptare. Vaçe Zela ishte personazhi më interesant në botën e artit dhe një grua shumë elegante, vishej me shije dhe kishte një trup të tonifikuar. Edhe pse ishte diktaturë, ajo kishte arritur të fitonte një pavarësi, që nëse nuk dëshironte të merrte një këngë, ose nuk dëshironte të dilte në një koncert, vendimi i saj respektohej. Në atë kohë që unë e njoha Vaçe Zelën ishte në kulmin e adhurimit nga publiku, sepse edhe pse i duhej të këndonte me ato mjete teknike vokale shumë të dobëta që kishte atëherë, ajo ishte e aftë të jepte koncerte në stadiume të mëdha. Ishte një stuhi.
 
Pse duhet t’i luteshim Vaçes...
 Vaçe Zelën e kam njohur gjatë punës sime në Radiotelevizionin Shqiptar. Isha redaktori i parë i teksteve të këngës. Pas meje kanë ardhur atje Zhuliana Jorganxhi e të tjerë.
Më thotë një ditë shefi i redaksisë Gjon Simoni: “Merr këtë partiturë dhe tekstin e kësaj kënge dhe do të shkosh tek shtëpia e Vaçes. Por para se të nisesha më tregoi se do t’i luteshim me shumë kujdes dhe me shumë mirësjellje për ta pyetur pasi ta shihte tekstin dhe partiturën nëse i pëlqenin apo jo. Vaçja në atë kohë kishte bërë një emër të tillë sa të gjithë i kërkonin me përulje bashkëpunimin. Shkoj tek shtëpia e saj.

Kur shoh dyert ishin hapur dhe po hynin e dilnin shumë njerëz. Mësova se Vaçes i kishte vdekur vjehrra. Në atë kohë nuk kishte telefon që të merreshin vesh këto gjëra. Shtanga, se nuk kisha as si t’i lajmëroja shefin për ta pyetur se çfarë të bëja në këtë rast. Vjehrra e Vaçe Zelës ishte vjeneze. Hyra me drojtje. Në atë kohë kishin një apartament shumë të madh krahasuar me të tjerët, sepse Vaçja kishte edhe një dhomë studio. I kërkova ndjesë, duke i treguar me shumë zor, sepse kisha ardhur. Por ajo më priti shumë mirë. “Hajde more!”. Më dha kurajo me atë karakterin e saj të gjallë dhe ndërsa i kërkova prapë ndjesë.

Ajo më tha: Epo vjehrra do vdiste një ditë, pa ta shohim njëherë këtë. Kujtoj këtu se ishte një kohë kur artisti sakrifikonte në punën e tij, kishte raste edhe kur u vdiste nëna artistët këndonin në skenë, nëse ishte planifikuar. Vaçja ma bëri me shenjë ta ndiqja drejt dhomës-studio dhe si e vuri partiturën mbi piano nisi të shihte me vëmendje gjithçka. Në dhomën tjetër bashkëshorti priste njerëzit për ngushëllim.

Nja dy komshije e ndihmonin për të servirur kafetë. Vajza e saj 11-vjeçare i vinte aty dhe ajo mundohej ta qetësonte se qante për gjyshen. Vaçja filloi ta provonte partiturën duke i rënë lehtë me gishta tastierës. Nuk e kujtoj saktë se cila këngë ka qenë, por kujtoj që ishte një tekst i Shpëtim Kushtës. Pasi provoi tingullin, Vaçja më tha: “Bëji të fala Gjonit dhe i thuaj që më pëlqeu. Shumë mirë ishte. Sa të mbaroj këto ditë e zisë dhe do të fillojmë nga puna”, tha. Dhe kështu Vaçja me atë buzëqeshjen e saj e saj më përcolli dhe u kthye tek njerëzit që kishin ardhur për ngushëllime. Duke e njohur edhe gjatë punës në RTSH, unë dua të theksojë se Vacja kishte një shpirt të gëzuar. Ajo kishte një gëzim shpërthyes që dinte ta ndante me të tjerët.
 
*Poet, ish-redaktor i teksteve në RTSH
 
 Facebook
Inva Mula: Ti ishe modeli im, ishe ëndrra ime, diva jonë absolute
 
Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula shprehet se ishte fare e vogël kur dëgjonte krijimet e babait të saj, Avni Mula për këngëtaren Vaçe Zela. E kishte model dhe një ditë ëndërronte që të këndonte si Vaçja në skenë. Inva Mula e cilëson artisten e madhe shqiptare një “Divë absolute”, një artiste “pa konkurrencë, pa krahasim”! Në një mesazh të postuar në Facebook, në ditën e ndarjes nga jeta të artistes së madhe shqiptare, Inva Mula i është drejtuar Vaçe Zelës në mënyrë emocionale me “bindjen” se ajo e dëgjon:

“E dashur Vaçe!
Po të drejtohem duke ngritur sytë nga qielli me bindjen se më dëgjon! Ti u ktheve në një legjendë që në vitet e rinisë tënde, ishe simboli i artistes absolute, pa konkurrencë, pa krahasim! Atje ku tingëllonte zëri yt dhe gërshetohej me fjalën aq bukur, shqiptuar me një frazë melodike që vetëm ti dije ta skalisje, lije vetëm një rrugë të ndriçuar, e cila u bë referencë e këngës shqipe! Kam pasur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty! Ti ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë! Të falënderoj dhe do të jem mirënjohëse Diva jonë Absolute!”, përfundon mesazhin e saj postuar në rrjetin social facebook. 
 
 
Plotësohet amaneti i Vaçe Zelës, Trupi i ikonës së muzikës sot prehet me nderime në atdhe
 Trupi i pajetë i Vaçe Zelës, ikonës së muzikës shqiptare ka mbërritur mbrëmë në Tiranë në orën 18.00. Këngëtarja e madhe, e cila ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë ditën e enjte në Basel të Zvicrës, e la amanet që trupi i saj të varroset në Shqipëri. Menjëherë pas mbërritjes së trupit të saj në atdhe, miq, të afërm dhe artistë të njohur kanë shkuar drejt shtëpisë së artistes së madhe për t’u takuar me familjarët dhe për të shprehur ngushëllimet për largimin e saj nga jeta.

Me tufa lulesh dhe pikëllim janë hapur dje dyert e mortit në shtëpinë e Vaçe Zelës në Tiranë. Sot do të vijojë një ceremoni shtetërore me homazhe nga ora 10.00- 12.00 në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, ku këngëtarja e madhe, pas ceremonive të nderimit do të përcillet për në varrezat e Sharrës. Ndërkohë, homazhe po zhvillohen edhe në qytetin e saj të Lindjes në Lushnje, ku bashkia e qytetit ka ulur flamurin në gjysmështizë. Flamuri në gjysmështizë ulet edhe në Ministrinë e Kulturës në Tiranë për ndarjen nga jeta të yllit të pashuar të muzikës shqiptare Vaçe Zela.

Këngëtarja Vaçe Zela ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare, rreth orës 2.00 të mëngjesit të djeshëm, në shtëpinë e saj në Basel të Zvicrës, ku ajo jetonte së bashku me vajzën e saj dhe bashkëshortin, Pjerinin. Artistja, prej kohësh nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Pesë muajt e fundit ajo i pati kaluar në spital, prej ku kishte afërsisht dy javë që kishte dalë.  Një prej pengjeve më të mëdha të artistes, të cilin e shprehu dhe në të gjallë, ishte jeta e saj larg Shqipërisë vitet e fundit.


Shkrimi u publikua sot (08.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane