Prej më se një vit në luftë me sëmundjen e pashërueshme, ka ndërruar jetë në Amerikë, ku edhe kurohej prej disa kohësh, Agim Nezaj, gazetari, studiuesi dhe pedagogu i mirënjohur në Shqipëri dhe jashtë saj.
 
Ai ka vdekur në Nju Jork, në moshën 54-vjeçare pranë familjes së tij pas një sëmundjeje të rëndë.
 
Agim Nezaj ka lindur në Tropojë më 13 qershor 1962. Studimet e mesme i ka kryer në shkollën e Gjuhëve të Huaja për anglisht dhe ato të larta, në Fakultetin Filologjik të Tiranës për gjuhë -letërsi shqipe në vitin 1987. Në vitin 1999 përfundoi studimet në degën e jurispondencës në Fakultetin e Drejtësisë.
 
Karriera dhe kontributi i Agim Nezës në gazetarinë shqiptare, letërsi, publicistikë, botën universitare, politikë etj. janë të mëdha dhe shumëdimensionale e do të mbahen mend gjatë.
 
Prej 25 vitesh ai punoi si gazetar, pedagog i komunikimit dhe këshilltar për komunikimin në zyrat më të larta të shtetit. Fillimet si gazetar i kishte në gazetën “Alternativa SD”, ndërsa deri para dy vitesh kur nisi betejën me sëmundjen e rëndë ishte kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë”.
 
Përgjatë kësaj periudhe ai ka shkruar artikuj dhe analiza politike tek “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, ndërkohë që nga 1997 ishte për disa vite korrespodent i televizionit britanik, “Sky News” etj.
 
Për ata që e njihnin dhe nuk e njihnin Agim Nezën, por njihnin shkrimet e tij apo bashkëpunimin me të si këshilltar i mediave në Ministrinë e Drejtësinë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Jashtme, në Kryesinë e Kuvendit etj.
 
Do ta ndiejnë që sot e tutje se Shqipëria ka humbur një personalitet.
 
Ai është autor i disa botimeve, ku më i fundit është ai për promovimin e natyrës shqiptare.

Një personalitet, që nuk reshti së promovuari Shqipërinë jashtë vendit me bukuritë dhe misteret e saj.

Agim Nezaj shprehej: “Kënaqësia ime më e madhe gjatë këtyre 25 viteve ka qenë dhe mbetet promovimi i Shqipërisë tonë të bukur tek të huajt nëpërmjet botimit dhe ribotimit të librave “Albania-Travel Guide” & “Welcome to Albania”.
 
Ne bashkëvendësit e tij,miqtë,shokët dhe kolegët humbëm njeriun që gjatë do jetojnë në bisedat tona, në mendjet tona, gjithnjë Agimi i dashur, fjalëmbël, i  kudondodhur, zemërbardhë dhe përjetësisht i paharruar.