TIRANË –Mazhoranca sulmon sërish Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, për qëndrimin qe organi i akuzës ka mbajtur mbi ngjarjet e “21 Janarit”. Gjate raportimit vjetor te kryeprokurores ne Komisionin e Ligjeve, demokratet thanë se Prokuroria nuk ka hetuar elemente të opozitës që ishin pjësë aktive e protestave.

“Je penduar se s’ke raportuar për 21 Janarin”- I është drejtuar Ina Ramës deputeti i PD-së Fatos Hoxha. Në këtë moment ka ndërhyrë kreu i komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali duke deklaruar “ Nuk e lë unë të përgjigjet për 21 janarin”.

Rama shprehu si shqetësim serioz në punën e organit të prokurorisë imuniteti i zyrtarëve të lartë, që bëhet pengesë për vijimin e hetimeve. "Na ka penguar imuniteti për të hetuar zyrtarët", theksoi Rama, ndërsa shtoi se "heqja e tij do të ishte lehtësim në këtë proces".

Shefja e akuzës ishte mjaft kritike edhe ndaj Ministrisë se Drejtësisë, institucion ky qe sipas Ina Rames, ka kryer kontrolle antiligjore dhe ka dezinformuar publikun për punën e Prokurorisë. “Me kontrollin e prokurorëve Ministria e Drejtësisë ka tejkaluar kompetencat”- tha Rama.
Referuar kriminalitetit për vitin 2011, kryeprokurorja tha se nuk ka tendence të uljes së korrupsionit, por policia ka ulur rastin e kallëzimeve. Ina Rama pohoi se në vend ka një rritje të koeficientit të kriminalitetit për banorë. Zonat më problematike janë Vlora, Gjirokastra, Durrësi, Korça, Tirana dhe Lezha. Krimi kryesor në vend vazhdon të mbetet vjedhja, që ka shënuar rritje. Sipas Ramës, 41% e veprave kriminale i përkasin pikërisht vjedhjes. Kreu i organit qendror të akuzës është në fund të mandatit të saj pesëvjeçar në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, mandat që përfundon në fund të nëntorit.

Ky raportim pritet të jetë i fundit për prokuroren e përgjithshme, mandati i së cilës zyrtarisht përfundon në nëntor të këtij viti. Por, ditët e fundit është hapur debate lidhur me kohëzgjatjen e këtij mandati. Sipas ish kryeprokurorit Theodhori Sollaku, Ina Rama u zgjodh në postin e kreut të organit të akuzës në vjeshtën e vitit 2007, kur ligjërisht mandati i kryeprokurorit ishte i pakufizuar. Por, në maj të vitit 2008, hyni në fuqi ndryshimet kushtetuese sipas të cilave, mandati i prokurorit të përgjithshëm bëhej 5 vjet. Cka, do të thotë, sipas Sollakut, në bazë të ndryshimeve kushtetuese, Ina Rama duhet të mbajë mandatin e saj deri në maj të vitit 2013, kohë në të cilën Kuvendi “de juro” do të jetë i shpërndarë për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në verën e vitit të ardhshëm.
aq/sq/ shqiptarja.com)