Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka reaguar lidhur me gjendjen e Grykës së Skoranës duke akuzuar qeverinë për neglizhencë dhe duke kërkuar hetim për dëmtimin e zonës.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Zhupa bën krahasime dhe pretendon se zona është dëmtuar nga hedhja e inerteve dhe aktiviteti i pakontrolluar i firmave ndërtuese, duke e cilësuar situatën një "krim mjedisor".
"Edhe Kanioni i Erzenit u masakrua. Qeveria Rama po varros një tjetër perlë natyrore të Tiranës. Kjo video tregon një krim mjedisor që nuk mund të fshihet me propagandë. Gryka e Skoranës, një nga destinacionet më të bukura natyrore të Tiranës, është shkatërruar nga hedhja e inerteve dhe aktiviteti i pakontrolluar i firmave ndërtuese. Aty ku dikur familjet, të rinjtë dhe turistët shijonin natyrën e ujërat e Erzenit, sot ka mbetur vetëm shkatërrim.
Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por pasojë e një qeverisjeje që ka braktisur mbrojtjen e mjedisit dhe ka zgjedhur t’u shërbejë interesave të klientëve të saj. Duhen hetuar dhe vënë para ligjit përgjegjësit dhe forcuar ligjet dhe kontrollet në mbrojtje të pasurive tona natyrore. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të humbasë një e nga një perlat e saj, ndërsa qeveria shet propagandë për turizmin, por lejon shkatërrimin e vetë natyrës që e bën këtë vend unik. Për cfarë turizmi do flasim në Tiranë?! Turizmin e ndërtimit, turizmin e betonit?!" tha Zhupa
Komente








