Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, ka bërë një deklaratë nga qyteti i Sarandës duke iu referuar ngjarjeve të fundit kriminale.

Drejtuesja politike e këtij qyteti, shpreh se të gjitha rastet janë referuar si shqetësim publik tek instancat përkatëse ndërsa shton se i është kërkuar dhe Ministrisë së Brendshme për të reaguar.

Zhupa thotë se duhet vendosur në monitorim Saranda dhe se Policia e Shtetit duhet të parandalojë ngjarjet kriminale.

“Ngjarjet e vazhdueshme kriminale janë bërë refren në qytetin e Sarandës, ku që nga sezoni turistik por dhe tani në muajt e parë të vjeshtës vazhdojnë më rrëmbime, plagosje, vrasje, shpërthime, të cilat rrezikojnë jetën e banorëve të qytetit të Sarandës.

Si deputete e Sarandës kam ndarë shpesh shqetësimin publik për këtë gjendje, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme nëpërmjet strukturave të policisë së shtetit të reagojë.

Të vër në kontroll dhe të monitoroj terrenin në qytetin e Sarandës.

Duhet që Policia e Shtetit të reagoj për të parandaluar ngjarjet, për të qenë ajo pararendëse e asaj që do të ndodhi në Sarandë dhe jo për të numëruar viktimat mbasi ngjarja ka ndodhur”, thuhet në deklaratën e Ina Zhupës.

Një ndër ngjarjet më të rënda kriminale të ndodhura së fundi në Sarandë, është ajo e vrasjes së 58-vjeçarit Isuf Jaçaj, i cili gjeti vdekjen nga shpërthimi i telekomanduar sapo hipi në automjetin e tij.