Me një video të 5 qershorit ku shfaqet Edi Rama në një intervistë me CNN, deputetja demokrate Ina Zhupa i është rikthyer këtë të djelë librit “the Albanian Files’ duke e përshkruar si një projekt që sipas saj Rama ka ngritur kundër interesit publik dhe në favor të oligarkëve.

“The Albanian Files” ndodhet “Shqipëria e Re” që Edi Rama ka projektuar, një Shqipëri për oligarkët, kundër shqiptarëve. Një libër ku shfaqen projekte mbi toka publike, në zona të mbrojtura, pranë trashëgimisë kombëtare dhe mbi asete publike. Një klient i paracaktuar, një studio e përzgjedhur vetë, miliona euro projekte dhe vizioni i një njeriu si plan zhvillimor për vendin.  Arkitektët në zyrën e “kryearkitektit” Rama, duke pikturuar Shqipërinë që i shërben pakicës dhe jo shumicës së shqiptarëve. Dhe për të gjithë skeptikët që thonë se “është thjesht një libër”, dëgjojeni një moment sinqeriteti në CNN. Nuk është thjesht një libër. Është projekti i Shqipërisë që Rama ka vendosur pa pyetur për interesin publik dhe për shqiptarët” shkruan ajo në rrjete sociale.