TIRANË- Dosja e inceneratorit të Fierit duhet të gjykohet në Apelin e GJKKO-së. Ky është vendimi i Gjykatës së Lartë, i marrë ditën e sotme në Dhomë Këshillimi. Shkalla e tretë e gjyqësorit vendosi të prishë vendimin e Apelit të GJKKO-së, i cili e kishte kthyer dosjen e inceneratorit të Fierit për rigjykim në GJKKO. Kështu, Gjykata e Lartë e kthen çështjen në Apel për rigjykim me një trupë tjetër gjykuese. Rekursi në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit të GJKKO ishte bërë nga prokurori i SPAK Dritan Prenci, por edhe nga mbrojtja e të pandehurve.

“Prishjen e vendimit nr.55 (87-2024-383) datë 19.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues”, informoi Gjykata e Lartë.

Dosja me 15 të pandehur tashmë do t’i nënshtrohet sërish gjykimit në shkallën e dytë të gjyqësorit, ku të dënuarit nga shkalla e parë kërkojnë pafajësi dhe SPAK kërkon dënim edhe për tre të pandehur të shpallur të pafajshëm, Arben Dervishaj, Juri Imeraj dhe Arjola Kodra. 

Dënimi me 10 vite burg i Lefter Kokës dhe ai me 4 vite për  Alqi Bllakon mbeten në fuqi, të dhëna nga GJKKO në shtator 2023. Klodian Zoto u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit aktiv, por u dënua me 2 vjet për korrupsion pasiv, shtatë vjet për skema mashtruese, dhe tetë vjet për pastrim parash. Pëllumb Abeshi u dënua me 3 vjet e 6 muaj, Erjon Murataj me 3 vite, Loran Dusha 7 vite, Arbër Denizi por me 7 vite, ndërkohë që të gjithë përfituan zbritjen me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Dënimet e GJKKO-së më 2023
Lefter Koka -10 vjet burg
Alqi Bllako 4 - vjet burg
Klodian Zoto 11 - vjet burg
Pellumb Abeshi - Shërbim prove
Florian Muçaj - Shërbim prove
Azem Shatëri - Shërbim prove
Erjon Murataj - 3 vjet burg
Sabina Cenameri - Shërbim prove
Arben Dervishaj - I pafajshëm
Loran Dusha - 7 vjet burg
Arjola Kodra - E pafajshme
Arbër Denizi - 7 vjet burg
Juri Imeraj - I pafajshëm
Regan Merdani - Shërbim prove
Gentian Zifla - Shërbim prove