Partia e Lirisë ka reaguar sot ndaj situatës në Tiranë, duke e cilësuar kryeqytetin si simbol të dështimit qeveritar. Përmes një deklarate, kjo forcë politike denoncon skandalin e inceneratorit dhe kërkon ndalimin e pagesave, hetim të plotë e përgjegjësi penale.

Deklarata e anëtarit të Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës, Dr. Artan Distafa

Tirana është sot prova më e qartë e falimentimit moral, politik dhe administrativ të kësaj qeverie. Kryeqyteti është kthyer në një qytet të grabitur, ku korrupsioni nuk fshihet më, por funksionon hapur, çdo ditë, me bekimin e pushtetit qendror dhe lokal. Qytetarët e Tiranës jetojnë mes trafikut të paralizuar, ndotjes alarmante, mungesës së ujit, përmbytjeve të përsëritura dhe një kaosi urban të krijuar qëllimisht. 

Ndërkohë që njerëzit përballen me këto probleme reale, qeveria merret me propagandë dhe betonizim, duke shkatërruar çdo hapësirë publike për interesa klienteliste.
Prova me flagrante e vjedhjes është skandali i inceneratorit të Tiranës, një incenerator që nuk ekziston, por që vazhdon të thithë miliona euro nga taksat e qytetarëve. 90 mijë euro në ditë që vazhdojnë e vidhen hapur. Ky është kulmi i vjedhjes shtetërore, paguhet çdo ditë një shërbim fantazmë, ndërsa plehrat digjen në ajër të hapur dhe Tirana mbytet nga mbetjet. Kjo është vjedhje e organizuar.

Qeveria e di shumë mirë që inceneratori nuk ekziston. Institucionet e dinë, por pagesat vazhdojnë, heshtja vazhdon dhe bashkëpunimi vazhdon.  Ky është një krim politik dhe financiar ndaj qytetarëve të Tiranës. Tirana po përdoret si bankomat për oligarkët dhe si laborator korrupsioni për pushtetin. Çdo kullë që ngrihet, çdo tender që jepet, çdo euro që zhduket, është një goditje direkte ndaj jetës dhe dinjitetit të qytetarëve. Ne, Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë kërkojmë:

Ndalim të menjëhershëm të pagesave për inceneratorin që nuk ekziston. Hetim të plotë dhe përgjegjësi penale për të gjithë zinxhirin politik të kësaj afere. Fund të betonizimit kriminal të Tiranës dhe rikthimin e qytetit te qytetarët, jo te klientët e pushtetit. Tirana nuk është pronë e qeverisë dhe nuk është thes për t’u vjedhur. Heshtja ka marrë fund. Qytetarët nuk do të paguajnë më për korrupsionin e qeveritarëve. Prandaj në 10 Shkurt të mblidhemi të gjithë dhe ti japim përgjigjen që meriton kësaj qeverie të korruptuar.