Një episod i pazakontë ka ndodhur në Bundesliga 2 të Gjermanisë gjatë ndeshjes mes Preuben Munster dhe Hertha Berlin, ku një tifoz i maskuar hyri në fushë dhe shkëputi pajisjen e VAR-it (video assistant referee), duke krijuar konfuzion në momentin e rishikimit të një aksioni të diskutueshëm.
Arbitri i takimit, Felix Bickel, ishte thirrur nga sistemi VAR për të rishikuar një episod në zonë që mund të përfundonte me penallti. Megjithatë, në momentin kur ai iu drejtua monitorit anësor, u konstatua se pajisja ishte fikur.
Sipas raportimeve nga mediet gjermane, një spektator me fytyrë të mbuluar nga kapuçi kishte hyrë në fushë dhe kishte shkëputur spinën e monitorit të VAR-it, duke e bërë të pamundur rishikimin nga ana e arbitrit në fushë.
Në këtë situatë ndërhyri dhoma e VAR-it, ku ndodhej Katrin Rafalski. Pas analizës së pamjeve, ajo i komunikoi vendimin arbitrit Bickel dhe u akordua penallti në favor të skuadrës së Hertha Berlin.
Në një reagim zyrtar, klubi i Preuben Munster shprehu keqardhje për incidentin, duke sqaruar se një spektator kishte hyrë pa autorizim në fushë dhe kishte ndërhyrë në pajisjet teknike. Klubi theksoi gjithashtu se do të bashkëpunojë për identifikimin e tifozit të maskuar dhe dorëzimin e tij tek autoritetet kompetente.
Komente










