Incidente e 11 shkurtit të Berishës, Vokshi dhe Bylykbashi drejt Komisariateve 1 dhe 2 për të shoqëruarit e protestës, deputeti: E paligjshme, Rama s'tremb dot qytetarët

TIRANË- Pas protestës së thirrur nga Berisha dhe shoqërimit të 3 protestuesve, deputetët e Rithemelimit, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi kanë shkuar drejt Komisariateve 1 dhe 2 ku ndodhen protestuesit. Bylykbashi u shpreh se deputetët janë të gatshëm t’u qëndrojnë pranë protestuesve, ndërsa shtoi se janë shoqëruar për motive politike, në mënyrë që qytetarët të stepen nga tubimi.

Ndonëse protesta e Berishës nuk la shijen e një ‘revolucioni’, por më shumë si një tubim nga Big Brother, Bylykbashi e cilësoi si protestë të jashtëzakonshme dhe mesazhe të mëdha, gjë që sipas tij do ‘identifikojë’ edhe protestën e radhës të hënën pasdite.

“Erdhëm për shoqërimet që ka bërë policia. Jeni dëshmitarë të një proteste madhështore që dha mesazhe por në thelb ishte paqësore. Në këtë lëvizje të jashtëzakonshme politike, është e drejta e çdo qytetari të protestojë madje fort. Rama këtë e ka nisur herët, McGonigal është radiografia. Gjykatën e ka në xhep, shtetin e ka nën kontroll. Protesta e sotme është mesazh fillimi. Askush s’i ndalon protestuesit shqiptar që me votë po i vjedh. Rama s’përdor dot forcën që të trembë shqiptarët. Ata që do shoqërohen, do lirohen sepse janë të paligjshme. Asgjë e paligjshme s’ka ndodhur.

Unë jam i sigurt që, Edi Rama dhe kushdo që vjen pas tij e ka mesazhin të qartë. Deputetët janë të gatshme t’i qëndrojë çdo demokrati dhe çdo qytetari që protestoi t’i nxjerrë të lirë. Ditën e hënë, siç u tha  qartë, ne do jemi atje për të protestuar. Ju e dini që Rama po përpiqet të shpërbëjë edhe parlamentin, duke u përpjekur të çajë grupin e PD-së dhe të përjashtojë deputetët. Ne do jemi atje për të treguar që parlamenti nuk shërben vetëm si noter i Edi Ramës.”- tha Bylykbashi.

Kujtojmë se protesta e 11 shkurtit të Berishës u thirr për të rreaguar ndaj skandalit të pretenduar të agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, akuzat e së cilit, opozita ja ka kaluar edhe Edi Ramës. Jo më shumë se 10 mijë vetë i janë përgjigjur thirrjes për të protestuar kundër asaj që opozita e konsideroi si skandalin e shekullit, më të rëndin në historinë e vendit dhe për të cilin kishte thirrur 100 mijë vetë për të nisur ‘betejën pa kthim’. Pamjet e siguruara nga Report Tv me dron treguan një grumbull protestuesish pranë podiumit të instaluar para Kryeministrisë dhe disa qindra të shpërndarë metrave të Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’.

G.MO/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve