7 të lënduar ndodhen te Spitali i Traumës. Konkretisht po marrin trajtim një police, 4 protestues dhe 2 kalimtarë, jashtë rrezikut për jetën, bën me dije ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu.
Më herët, në këtë qendër spitalore kanë marrë ndihmë 6 efektivë të forcave speciale 2 gazetarë dhe 4 kalimtarë. Në QSUT momentalisht nuk raportohet për të lënduar. Më herët aty u trajtuan një diplomat i huaj, një gazetar dhe 6 protestues.
Sipas bilancit, në total janë trajtuar 26 të lënduar.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon mbi situatën shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, bazuar në informacionin e raportuar nga strukturat spitalore.
Në Spitalin Universitar të Traumës, aktualisht po trajtohen një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën mjekësore.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), kanë marrë trajtim dhe janë larguar , një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe 6 protestues.
Ministria thekson se kujdesi shëndetësor për çdo person të lënduar ofrohet pa dallim, në përputhje me gjendjen klinike dhe nevojat mjekësore të secilit.
Situata po ndiqet në vijimësi, përmes komunikimit të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore. Informacioni mbi numrin e personave të trajtuar dhe gjendjen e tyre shëndetësore përditësohet në bazë të të dhënave të verifikuara nga strukturat përkatëse.
Ministria falënderon ekipet e urgjencës, mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë për angazhimin dhe kujdesin e ofruar”, tha Spahiu.
Lajmi kryesor:
Protestues të maskuar ndezin flakadanë në Bashki! Sulm Ministrisë së Arsimit, shkatërrojnë biznese e vënë zjarre rrugëve të Tiranës! Përplasje me policinë: 20 të lënduar, 7 prej tyre efektivë, 40 të shoqëruar (VIDEO)










