Kandidati për kryetar bashkie në Vaun e Dejës Zef Hila përmes një deklarate për mediat shpreh keqardhjen për reagimin që ka bërë policia pas incidentit të djeshëm ku një efektiv policie ka qëlluar në ajër. Sipas Hilës mosmarrja e masave në kohë rëndon më shumë situatën.
 
Deklarata e plotë e Kandidati për kryetar bashkie në Vaun e Dejës Zef Hila
Shpreh keqardhjen për mos reagimin e Policisë së Shtetit  pas denoncimeve të njëpasnjëshme që unë personalisht kam bërë për  dhunën dhe terrorin që militantë e banditë të veshur me  uniformën e Policisë së Shtetit ushtrojnë në zonën e Vaut të Dejës.  Edhe pse unë e kam denoncuar për javë të tëra dhunën dhe terrorin policor, nuk është  marrë asnjë masë deri mbrëmë kur u qëllua në drejtim të vëllait tim. Ky akt i rëndë dhe i paprecedent, kur një punonjës me uniformë policie përdor armën kundër vëllait të një kandidati, është rezultat i drejtpërdrejtë i qëllimit dhe misionit që i është ngarkuar policisë nga kjo qeveri.
 
Mosmarrja e masave në kohë rëndon më shumë situatën dhe e bën transparente në sytë e kujtdo se ky nuk është një rast i izoluar, por një porosi e qartë politike. Dua dhe njëherë sot t’i kërkoj Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe kryeministrit të tërheqë nga Vau i Dejës banditët e veshur me uniforma policie dhe të mos provokojë qytetarët. Shqiptarët e kanë larguar frikën 24 vjet më parë, sot dhuna dhe terrori tregojnë vetëm dëshpërim dhe mjerimin e atyre që e urdhërojnë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)