Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se incidenti në Lajpcig përbën "një sulm ndaj territorit evropian" dhe paralajmëroi se Bashkimi Evropian është gati të rrisë presionin ndaj Rusisë.

"Dua të jem shumë e qartë. Ky ishte një sulm me material ushtarak i kryer nga një operacion rus në territorin evropian. Nuk do ta tolerojmë. Kjo formë frikësimi nuk do të funksionojë. BE-ja dhe NATO janë të bashkuara. Jo vetëm që do ta mbajmë të lartë presionin ndaj Rusisë, por do ta rrisim atë", tha Von der Leyen në një deklaratë për mediat  

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian mund të vendosë sanksione të tjera ndaj Rusisë dhe se duhet të mbyllen të gjitha boshllëqet që, sipas saj, Moska vazhdon të shfrytëzojë.

"Lajpcigu shënon një përshkallëzim të ri në territorin e BE-së. Evropianët po përballen me të vërtetën e hidhur se kjo është normaliteti i ri. Duhet të intensifikojmë përpjekjet tona", u shpreh ajo.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, incidenti është pjesë e një tabloje më të gjerë me ngjarje gjithnjë e më të rrezikshme, si shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore, dronët që paralizojnë aeroportet dhe ndërhyrjet ndaj infrastrukturës kritike. Ajo theksoi se infrastruktura e përditshme duhet të trajtohet si objektiv i vijës së parë dhe të mbrohet si e tillë, duke shtuar se BE-ja do të mbështesë çdo shtet anëtar që bëhet objektiv i Rusisë.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Rusia po bëhet "gjithnjë e më e papërgjegjshme" në luftën kundër Ukrainës, duke shtuar se tashmë po godet edhe territorin e NATO-s.

"Solidariteti ynë me Gjermaninë është i plotë. Uniteti ynë është i palëkundur. Rusia gabon nëse mendon se mund të na përçajë. Nuk na frikëson", tha Rutte.


Lajmi kryesor:

Gjermania e akuzoi për sulmin në Lajpcig, BE-ja paralajmëron përgjigje ndaj Rusisë! Von der Leyen: Nuk tolerojmë sulme ndaj territorit evropian! Rutte: Moska nuk na tremb!