Incidenti në Gramsh, ku dy ushtarë shqiptarë u sulmuan me sprajt kimik nga 3 shtetas rus në afërsi të uzinës së armëve, mund të ketë ndodhur për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër. Kështu deklaroi në një konferencë për mediat, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, duke ju referuar edhe zhvillimeve në rajon, ndërsa shtoi se ngjarja po trajtohet me shumë seriozitet.  

‘Ka disa nivele klasifikimi të pronave të ushtrisë. Padyshim që ato që janë të klasifikuara nuk është e lehtë, madje e pamundur të depërtohet brenda tyre. Kemi dhe site të tjera të cilat janë të vizitueshme, por vizita bëhet vetëm me leje. Në Gramsh demontohen armë të ndryshme. Aktiviteti i fundit ka qenë vitin e kaluar. Ka pushuar se funksionuari si uzinë. Kemi të bëjmë me një grup të huajsh të cilët as nuk kanë tentuar ta vizitojnë atë zonë ushtarake me leje sipas procedurës. Ngjarja e Gramshit po trajtohet me shumë seriozitet. Mund të jetë një ngjarje që nuk na shqetëson shumë se çfarë kanë fotografuar, por mund të ketë qëllim për një skenar tjetër. Nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër. Jemi në një kohë të prishjes së ekuilibrave gjeopolitike, por çdo ngjarje meriton të shohim jo si duket, por dhe në mënyrë të tërthortë. Përpunojnë çdo informacion dhe në kontekstin e prishjes së ekuilibrave kryesisht pas agresionit rus në rajon, jemi në një rajon delikat, Ballkani është kompleks, jo të gjitha shtetet kanë të njëjtën agjendë, Shqipëria është kampion për orientimin e vet perëndimor por jemi të brishtë si rajon ndaj na bën dy herë më të vëmendshëm”, tha Peleshi.

Nga ana tjetër ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh se pavarësisht se Uzina e armëve në Gramsh është objekt i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror, hetimet për spiunazh për dy rusët dhe ukrainasin që tentuan të futen në mënyrë të jashtëligjshme duke sulmuar dy ushtarë do të shkojnë deri në fund. Agresioni që shkaktuan rusët e ukrainasi, si edhe pajisjet që kishin me vete, ministri Çuçi tha se përbëjnë material për dyshim, pavarësisht se mund të jenë edhe turistë që kanë interes për të fotografuar objekte të luftërave të ndryshme.

Si ndodhi ngjarja
Mikhail Zorin, 23-vjeç, me pasaportë ruse, bashke me 33-vjeçaren Svetlana Timofeeva dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve në Gramsh, teksa kanë tentuar që të futen brenda, janë pikasur nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre janë arrestuar nga policia, ndërsa ka dyshime se janë agjentë të shërbimit sekret rus. Ata janë marrë në pyetje por kanë mohuar se janë agjentë. Policia e Elbasanit ka bërë me dije se ndaj tyre rëndojnë akuzat për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë edhe në Poliçan u ndaluan 4 shtetas çekë të cilët po fotografonin tunelet në bazën ushtarake të Poliçanit. Edhe këto të fundit deklaruan se janë turistë dhe se nuk kishin qëllime të kqija.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:56
Ministri i Brendshëm: Uzina e armëve është objekt i deklasifikuar pa sekrete shtetërore, por hetimet do shkojnë deri në fund


Pavarësisht se Uzina e armëve në Gramsh është objekt i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror, hetimet për spiunazh për dy rusët dhe ukrainasin që tentuan të futen në mënyrë të jashtëligjshme duke sulmuar dy ushtarë do të shkojnë deri në fund. Kështu bëri me dije Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një konferencë për mediat për çështjen në fjalë, ku ndodhet së bashku me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.

Agresioni që shkaktuan rusët e ukrainasi, si edhe pajisjet që kishin me vete, ministri Çuçi tha se përbëjnë material për dyshim, pavarësisht se mund të jenë edhe turistë që kanë interes për të fotografuar objekte të luftërave të ndryshme.

“Ky objekt është deklasifikuar, për nga pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit që kanë ushtruar ndaj ushtarëve janë marrë nën hetim nga prokuroria. Prokuroria bashkë me policinë do e zbërthejë çështjen. Ka turistë aventurierë që e kanë si synim fotografimin e objekteve me karakter të veçantë që ishin pjesë e një industrie të luftës së ftohtë, ndaj do hetojmë deri në fund për të hetuar çdo pozicion të gjithkujt në këtë ngjarje. Deri tani nuk ka vend për spekulime. Edhe për ngjarje të tjera të ngjashme kemi qenë shumë të qartë. Përfundimi i hetimeve do të tregojë se çfarë qëllimi kishin këta njerëz, pavarësisht se objekti është i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror”, u shpreh Çuçi.

Ministri tha se elementët e rinj që do të dalin në lidhje me përfundimin e hetimeve do të komunikohen me publikun.