Policia në Maqedoninë e Veriut ka lënë të lirë tre personat që u ndaluan një ditë parë pas një përplasje fizike gjatë protestës së studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe që u mbajt në zemër të Shkupit.

Sipas mediave vendase, të rinjve të ndaluar, 2 shqiptarë dhe një maqedonas, iu janë marrë deklaratat dhe të dhënat e identifikimit, por nuk kanë shpëtuar nga masat për prishje të rendit dhe qetësisë publike ndërkohë që rasti është mbyllur si 'rrahje.'

Përplasja fizike ndodhi pak para se protestuesit studentë të mbërrinin përpara Ministrisë së Drejtësisë. Dyshohet se përplasja nisi pas një provokimi nga ana e një të riu maqedonas, çka solli reagimin e dy të rinjve shqiptarë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni pretendoi se rasti është shoqëruar me shumë disinformim dhe se institucionet po punojnë për zbardhjen e rastit..

“Policia ka ndalur 3 persona, një maqedonas dhe dy shqiptarë pas një zënke që ndodhi pas protestës së sotme. Dua t’ju lus të mos bini pre e propagandave dhe dezinformatave që po qarkullojë në opinion nga maqineria propagandistike e Musa Xhaferit dhe Blerim Bexhetit. Institucionet përkatësë tashmë janë duke punuar për zbardhjen e plotë të rastit dhe për caktimin e përgjegjësive. Qetësia, maturia dhe përgjegjësia janë në interes të të gjithëve”, dekaroi Iseni

Protesta e dytë e studentëve shqiptarë të jurisprudencës që kërkojnë mbajtjen e provimeve në gjuhën shqipe, ishte për organizatorin Mevlan Ademi, një kërkesë legjitime për një të drejtë kushtetuese.

Ai bëri thirrje për zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke theksuar se çdo devijim apo miratim i ligjeve të reja që nuk harmonizohen me këtë ligj përbën kthim prapa për shqiptarët.

Ademi  deklaroi se kërkesat e studentëve duhet të mbështeten në ligjin ekzistues dhe jo të kërkojnë krijimin e mekanizmave apo komisioneve të reja. “Nëse studentët maqedonas kanë 10 provime në gjuhën maqedonase, ne nuk kërkojmë 10 komisione apo 10 ligje të reja, por vetëm një zgjidhje që bazohet në ligjin aktual”, deklaroi ai.