TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur të kthejë në SPAK çështjen e gjyqtares Irena Gjoka për plotësim hetimesh. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Marinela Osmani, e cila i ka lënë SPAK një sërë detyrash për të plotësuar dhe një afat kohor prej 6 muajsh.
Gjoka u kallëzua nga PD me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë greke. Por, SPAK kërkoi pushimin e procedimit penal me argumentin se procesi është zhvilluar në mungesë dhe nuk është vërtetuar nëse Irena Gjoka ka qenë në dijeni të dënimit, duke shtuar se ndjekja penale lidhur me këtë fakt rezulton e shuar për shkak të parashkrimit.
Vendimin e GJKKO për kthimin e çështjes për plotësim hetimesh, Partia Demokratike përmes avokatit Genc Gjokutaj e lexoi si fitore, duke thënë se SPAK u përpjek ta fshehë çështjen dhe tashmë po vendoset para përgjegjësisë për ta hetuar deri në fund.
“Është një vendim serioz, sepse ve ato detyra që shkojnë drejt zbulimit të së vërtetës, atë të vërtetë që SPAK me një të rënë të lapsit u mundua ta fshehë. Ky është një vendim që është hap shumë i rëndësishëm në lidhje me kallëzimin tonë, dhe gjykata kërkon që kallëzimi tonë ti jepet përgjigje. Këtu nuk është çështje bindjesh, por çështje provash. Gjykata e rivendosi në shina këtë proces, duke detyruar SPAK të kryejë këto veprime, pa të cilat ai nuk mund të konkludojë drejt në lidhje me përgjegjësinë e gjyqtares Gjoka. E vë SPAK para përgjegjësisë që ta hetojë këtë çështje, është një nga çështjet më të rëndësishme ss i përket jo vetëm hetimit të çështjes, por edhe integritetit të GJKKO”, tha Gjokutaj.
Vetë Gjoka në dëshminë e saj të dhënë në Prokurorinë e Posaçme, pas kallëzimit të PD për falsifikim të vulave dhe formularëve, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të vendimit, që nuk u ekzekutua kurrë nga autoritetet greke nuk ka pasur kurrë dijeni për asnjë proces hetimor penal të zhvilluar ndaj saj në Greqi.
Irena Gjoka ka qenë objekt i sulmeve të përsëritura nga ana e kryetarit demokrat Sali Berisha, duke qenë se ajo ka qenë gjyqtarja e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”, për të cilën ai është vënë nën akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për korrupsion dhe pastrim parash.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










