Studentët që po protestojnë sot në Shkup thonë se beteja për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje politike.
“Kjo që po bëjmë ne është e detyrueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Duhet të flitet shqip. Kjo na takon me të vërtetë”, tha një student i Shkencave të Komunikimit gjatë protestës.
Arlinda Emini nga Kumanova, studente në Fakultetin Juridik në Universitetin “Nënë Tereza”, kërkoi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe tha se studentët nuk do të tërhiqen.
“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon. Është problem i institucioneve, por me brezin tonë do realizohen shumë çështje që nuk janë realizuar më herët. Partitë politike nuk kanë marrë pjesë në organizim. Është organizim studentor”, deklaroi ajo.
Në mbështetje të protestës ka dalë edhe Lavdrim Hajrullahi, student i marketingut, i cili tha se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.
“Shpresojmë që të arrihet zgjidhje. Ne do të vazhdojmë protestat dhe nuk do të ndalemi. Kjo nuk është çështje partiake, është çështje gjaku dhe gjuhe. Duhen marrë masa që t’i kemi të drejtat tona”, u shpreh ai.
Ndërkohë në terren janë vërejtur edhe forca të shtuara policore, në zonën përreth Urës së Gurit,
Lajmi kryesor:
Shkupi vishet kuqezi, mijëra studentë protestojnë për gjuhën shqipe: Është e drejta jonë jo privilegj, të dorëhiqet ministri i Drejtësisë







