Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë.
Ndër vendimet, ishin edhe indeksimi i pagave me 2.5% për disa kategori në administratën publike.
Nga indeksimi do të përfitojnë punonjësit e shërbimit zjarrfikës.
Vendim për një ndryshim në vendimin nr.419, datë 26.6.2024, të këshillit të ministrave, “për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të pikave 1, shkronja “a”, e 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2015, “Për Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Lidhja nr.1, e vendimit nr.419, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”, zëvendësohet me lidhjen me të nëjtin numër dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat e elementit “paga për gradë” në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave për punonjësit me gradën “Asistent zjarrfikës”, “Zjarrfikës”, “Kryezjarrfikës”, “Nënkomisar zjarrfikës” dhe “Komisar zjarrfikës” si dhe rezultat i indeksimit në masën 2.5% për gradat e tjera.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore përballohen nga transferta e miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
4. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
Nga indeksimi, do të përfitojnë edhe punonjësit e pushtetit vendor. Përpara indeksimit, kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore varionin nga 50 000 – 57 000 lekë në muaj.
Disa ndryshime në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, të këshillit të ministrave, “për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 2, shkronjat “a”, “b” e “ç”, dhe 9, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të neneve 54 e 77, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
Vendosi
1. Në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore janë nga 50 000 – 57 000 lekë në muaj.”.
b) Lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7 dhe nr.8, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat e:
a) kufijve maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat III-1, III-2, III-3, IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, dhe vlerat e pikës 11, të ndryshuar, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave;
b) kufijve minimalë e maksimalë në lidhjet nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%;
c) kufijve minimalë e maksimalë të elementit “Pagë për pozicion” për klasat I-2, I-3, I-4, I-5, II-1 dhe II-2, në lidhjet nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 dhe nr.7, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2026, përballohen nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.
4. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2026.
Përfitues i indeksimit është edhe personali shqiptar i misioneve diplomatike të Shqipërisë në shtetet e huaja.
Disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.324, datë 31.5.2023, të këshillit të ministrave, “për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të republikës së shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të republikës së shqipërisë pranë nato-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe si prokuror ndërlidhës pranë eurojust në Hagë, Holandë”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, dhe të neneve 31, pika 2, e 53, pikat 1 e 3, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Në vendimin nr.324, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe si prokuror ndërlidhës pranë EUROJUST në Hagë, Holandë”, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë, përfaqësues të ministrive përgjegjëse për fusha të ndryshme, për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si nëpunës të sekonduar, si prokuror ndërlidhës pranë EUROJUST-it në Hagë, Holandë, dhe si oficer ndërlidhës i Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.
b) Në shkronjën “dh”, të pikës 1, pas fjalëve “… pranë qendrës SECI …” shtohen “… si dhe punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës Financiare, për kohën që shërbejnë si “nëpunës të sekonduar”, në pozicionin “menaxher projekti”, në Divizionin e Moneyval-it dhe rikuperimin e aseteve kriminale, në sekretariatin e Komitetit Moneyval, në Strasburg …”;
c) Pas shkronjës “e”, të pikës 1, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që caktohet si oficer ndërlidhës pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.
ç) Pika 5 shfuqizohet;
d) Pas pikës 12 shtohet pika 12/1, me këtë përmbajtje:
“12/1. Paga bruto mujore e punonjësve, të përcaktuar në shkronjën “ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, është e barabartë me pagën mujore bruto të pozicionit që hetuesi ka mbajtur në momentin e emërimit si “oficer ndërlidhës i Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë EUROPOL-it apo SELEC-it.”.
dh) Pas pikës 13 shtohet pika 13/1, me këtë përmbajtje:
“13/1. Përveç pagës bruto mujore, të përcaktuar në pikën 12/1, të këtij vendimi, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që caktohen si oficer ndërlidhës pranë EUROPOL-it apo SELEC-it, përfitojnë edhe kompensimin për koston e jetesës, në masën:
a) 280 (dyqind e tetëdhjetë) euro në muaj, kur është caktuar pranë EUROPOL-it;
b) 180 (njëqind e tetëdhjetë) euro në muaj, kur është caktuar pranë SELEC-it.”.
e) Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Trajtimi me pagë dhe kompensim për koston e jetesës, sipas këtij vendimi, për punonjësit e përcaktuar në shkronjat “e” dhe “ë”, të pikës 1, të këtij vendimi, fillon nga data e fillimit të detyrës, përkatësisht pranë EUROJUST-it, EUROPOL-it apo SELEC-it.”.
ë) Pika 17 shfuqizohet;
f) Lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5 dhe nr.7 zëvendësohen me lidhjet me të njëjtët numra dhe tituj, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Vlerat e elementeve të pagave, të përcaktuara në lidhjet nr.1, nr.2, nr.3, nr.4 dhe nr.5, të këtij vendimi, janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi:
a) Për parashikimet në shkronjat “b”, “c”, “d”, “dh” dhe “e”, të këtij vendimi, fillojnë nga momenti i emërimit të punonjësve në detyrë dhe përballohen nga fondet e miratuara për Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe nga fondet e Agjencisë së Inteligjencës Financiare;
b) Për parashikimin në shkronjat “ç” dhe “f”, të këtij vendimi, shtrihen nga data 1 janar 2026 dhe përballohen nga buxheti i institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026.
4. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Lajmi në përditësim...
Komente









