NEW DELHI- Në një kohë kur Rusia është e goditur rëndë nga sanksionet e vendeve europiane, ajo ka hedhur sytë së fundmi nga Azia. Presidenti rus, Vladimir Putin është takuar sot me kryeministrin indian Narendra Modi në New Delhi, në përpjekje për të ringjallur një miqësi historike të venitur me kalimin e viteve si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe mbrojtjes.
 
Putin është në kërkim të tregjeve të reja për burimet natyrore ruse teksa ekonomia e saj është lëkundur ndjeshëm nga sanksionet amerikane dhe europiane për shkak të destabilizimit të situatës në Ukrainë.
 
Sipas një marrëveshje me qëllim rritjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë mes dy vendeve, Rusia tha se do të ndërtojë 12 reaktorë të energjisë bërthamore në Indisë.
 
Marrëveshjet strategjike pritet të mbulojnë eksplorimin dhe furnizimin me naftë dhe një rritje të shitjes së diamantit indian nga monopoli shtetëror rus Alrosa. Në fushën e mbrojtjes India ka pranuar të blejë 400 helikopterë rusë multifunksionalë.
 
Që nga ardhja e Modit në pushtet, në muajin maj të këtij viti, ai ka tentuar lidhje të ngushta me presidentin amerikan Barack Obama, i cili ka pranuar një ftesë për t’u bashkuar festimeve të ditës së Republikës Indiane në muajin janar. Por, nga ana tjetër India ka kundërshtuar të bashkohet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe ka të ngjarë të mos marrë parasysh një paralajmërim nga Uashingtoni se ‘nuk është koha e duhur për të bërë biznes me Moskën’.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)