Gianni Infantino ka refuzuar të japë dorëheqjen si president i FIFA-s, pavarësisht se ka bërë një kërkimfalje të përulur për planin e dështuar të shitjes së të drejtave të Kupës së Botës me vlerë 20 miliardë euro. Pas 'bisedimeve të krizës' mes Infantinos dhe stafit të lartë të FIFA-s në Marok të mërkurën, organi drejtues i futbollit botëror publikoi një deklaratë duke shpallur se secila palë gëzonte mbështetjen e plotë të tjetrës.

Infantino dhe Mattias Grafstrom, sekretari i përgjithshëm i tij, u shkruan gjithashtu 211 federatave anëtare të FIFA-s dhe anëtarëve të Këshillit të FIFA-s, duke kërkuar falje për 'gabimet' e bëra para dhe pas daljes në dritë të skemës, e cila ka bërë që Infantino të luftojë për të mbajtur postin e tij. Të dy u shfaqën të bashkuar duke ndjekur së bashku një ndeshje të Kupës së Kombeve të Afrikës për Femra të mërkurën në mbrëmje, paçka se Mattias Grafstrom më herët e kishte kritikuar Infantinon hapur.

FIFA paralajmëroi gjithashtu se “nuk do të tolerojë më asnjë sulm ndaj integritetit të saj, qeverisjes së mirë dhe procesit të rregullt ligjor dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur dhe ruajtur emrin dhe reputacionin e saj”.

Kjo ndodhi pasi Luis Figo akuzoi Infantinon për “sjelljen më të ulët, më mashtruese dhe më frikacake të udhëhequr nga interesat personale” që kishte “parë ndonjëherë”, në sulmin më të ashpër deri tani ndaj presidentit të FIFA-s. Federata Angleze e Futbollit është ndër ato që kanë tërhequr mbështetjen për Infantinon gjatë një fushate të udhëhequr nga UEFA për ta rrëzuar atë.

FIFA deklaroi: “Pas një takimi në Rabat, Marok, sekretari i përgjithshëm i FIFA-s dhe anëtarët e bordit drejtues të FIFA-s të pranishëm riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, si i vetmi zyrtar i zgjedhur nga 211 federatat anëtare të FIFA-s. Nga ana e tij, presidenti i FIFA-s përsëriti mbështetjen e tij të plotë për sekretarin e përgjithshëm të FIFA-s dhe administratën e FIFA-s për punën e tyre të domosdoshme dhe të jashtëzakonshme në realizimin e vizionit të tij."

“U diskutua dhe u ra dakord që proceset, komunikimi dhe ndërveprimet mes presidentit të FIFA-s, sekretarit të përgjithshëm të FIFA-s dhe bordit drejtues të FIFA-s, që mbështesin zbatimin e këtij vizioni, mund dhe duhet të përmirësohen vazhdimisht për sa i përket efektivitetit dhe eficiencës së tyre.”

Infantino (majtas) dhe Mattias Grafstrom deklaruan mbështetjen e tyre për njëri-tjetrin të mërkurën

‘FIFA nuk do të tolerojë sulme ndaj integritetit të saj’

Deklarata vazhdonte: “Drejtuesit më të lartë të FIFA-s janë plotësisht të bindur se rezultatet e takimit të së mërkurës do të forcojnë qeverisjen e FIFA-s, do të ndihmojnë në rikthimin e besimit te organizata dhe do të na mundësojnë të përgatitemi për ngjarjet dhe sfidat e mëdha që na presin në një mënyrë të bashkuar dhe transparente, ndërsa vazhdojmë misionin tonë për zhvillimin e futbollit në mbarë botën.

Takimi trajtoi gjithashtu propozimin e FIFA Forward Enterprise (FFE), ku u pranuan gabimet e bëra. U ra dakord se nuk ishte qëllimi që Këshilli i FIFA-s dhe federatat anëtare të FIFA-s të ndiheshin të përjashtuara nga procesi dhe se procesi duhej të ishte menaxhuar ndryshe. U pranua gjithashtu se u bënë gabime edhe pasi propozimi u publikua në media.

Në një letër të veçantë drejtuar Këshillit të FIFA-s dhe federatave anëtare të FIFA-s, u kërkua falje për këto gabime, së bashku me një angazhim për të siguruar që ato të mos ndodhin më. Tani do të kryhet një rishikim dhe një raport do t’i paraqitet Këshillit të FIFA-s në mbledhjen e tij të ardhshme të planifikuar.

Siç është komunikuar më parë, propozimi i FFE-së, i cili do t’i ishte nënshtruar miratimit të federatave anëtare të FIFA-s dhe Këshillit të FIFA-s, tashmë është tërhequr. Me tërheqjen e projektit, u ra dakord që FIFA nuk do të tolerojë më asnjë sulm ndaj integritetit të saj, qeverisjes së mirë dhe procesit të rregullt ligjor dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur dhe ruajtur emrin dhe reputacionin e saj.

Gjithmonë ka mësime për t’u nxjerrë dhe FIFA do të vazhdojë të përmirësojë proceset e saj në dritën e kësaj përvoje. Megjithatë, në këtë rast është e rëndësishme të theksohet se, megjithëse u bënë gabime, gjithçka që u bë ishte në përputhje të plotë me kuadrin rregullator të FIFA-s.

FIFA do të punojë ngushtë me palët përkatëse të interesit për të shqyrtuar se si mund të mbështesë më tej zhvillimin e futbollit përmes programit FIFA Forward, në dobi të 211 federatave anëtare të FIFA-s, konfederatave dhe shoqatave rajonale", thotë FIFA.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:39
Luis Figo sulmon ashpër Infantinon: Mashtrues i ulët, duhet të largohet sa më shpejt nga FIFA

1786016433_luisfigo.JPG

Luis Figo ka sulmuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar hapur largimin e tij nga drejtimi i organizatës më të lartë të futbollit botëror.

Ish-futbollisti portugez ka publikuar një letër të ashpër në 'Daily Mail', ku kritikon mënyrën e drejtimit të Infantinos dhe e akuzon për mungesë transparence dhe për vendime që, sipas tij, dëmtojnë interesat e futbollit.

Figo, i cili aktualisht është këshilltar i presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, e përmblodhi qëndrimin e tij me një thirrje të drejtpërdrejtë për dorëheqje. Gjithçka lidhet me idenë e tërhequr të Infantinos për të shitur 20 përqind të të drejtave komerciale të Kupës së Botës te privati.

“Mund të shkruaja 10 mijë fjalë për problemet në FIFA, por zgjidhja përmblidhet në vetëm tri fjalë, Infantino duhet të largohet”, deklaroi Figo.

Portugezi u shpreh se gjatë karrierës së tij ka takuar shumë persona të pandershëm në futboll, por sipas tij, zhvillimet e fundit përfaqësojnë një nga situatat më shqetësuese që ka parë ndonjëherë.

“Ajo që kam parë të dalë në dritë gjatë dhjetë ditëve të fundit është sjellja më e ulët, më mashtruese dhe më egoiste që kam parë ndonjëherë. Një njeri që do të përpiqej të impononte ndryshime kaq të mëdha vetëm për të pasuruar veten dhe miqtë e tij nuk duhet të ketë asnjë rol në të ardhmen e futbollit”, tha ish-ylli i Barcelonës, Real Madridit dhe Interit.

Figo kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës rreth projekteve të reja financiare të FIFA-s, duke pretenduar se organizata ka mjaftueshëm burime të brendshme për të zhvilluar futbollin pa pasur nevojë për investime të jashtme.

“Infantino e ka degraduar postin e presidentit të FIFA-s. Ai ka humbur mbështetjen e shumë njerëzve që ia kanë kushtuar jetën këtij sporti. Nuk është vonë për të shpëtuar futbollin. Ai duhet të largohet. Tani”, përfundoi Figo.

Luis Figo është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit evropian. Gjatë karrierës së tij zhvilloi afro 800 ndeshje në nivel klubesh me Sportingun, Barcelonën, Real Madridin dhe Interin, ndërsa me kombëtaren e Portugalisë regjistroi 127 paraqitje.