Luis Figo ka sulmuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar hapur largimin e tij nga drejtimi i organizatës më të lartë të futbollit botëror.
Ish-futbollisti portugez ka publikuar një letër të ashpër në 'Daily Mail', ku kritikon mënyrën e drejtimit të Infantinos dhe e akuzon për mungesë transparence dhe për vendime që, sipas tij, dëmtojnë interesat e futbollit.
Figo, i cili aktualisht është këshilltar i presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, e përmblodhi qëndrimin e tij me një thirrje të drejtpërdrejtë për dorëheqje. Gjithçka lidhet me idenë e tërhequr të Infantinos për të shitur 20 përqind të të drejtave komerciale të Kupës së Botës te privati.
“Mund të shkruaja 10 mijë fjalë për problemet në FIFA, por zgjidhja përmblidhet në vetëm tri fjalë, Infantino duhet të largohet”, deklaroi Figo.
Portugezi u shpreh se gjatë karrierës së tij ka takuar shumë persona të pandershëm në futboll, por sipas tij, zhvillimet e fundit përfaqësojnë një nga situatat më shqetësuese që ka parë ndonjëherë.
“Ajo që kam parë të dalë në dritë gjatë dhjetë ditëve të fundit është sjellja më e ulët, më mashtruese dhe më egoiste që kam parë ndonjëherë. Një njeri që do të përpiqej të impononte ndryshime kaq të mëdha vetëm për të pasuruar veten dhe miqtë e tij nuk duhet të ketë asnjë rol në të ardhmen e futbollit”, tha ish-ylli i Barcelonës, Real Madridit dhe Interit.
Figo kritikoi gjithashtu mungesën e transparencës rreth projekteve të reja financiare të FIFA-s, duke pretenduar se organizata ka mjaftueshëm burime të brendshme për të zhvilluar futbollin pa pasur nevojë për investime të jashtme.
“Infantino e ka degraduar postin e presidentit të FIFA-s. Ai ka humbur mbështetjen e shumë njerëzve që ia kanë kushtuar jetën këtij sporti. Nuk është vonë për të shpëtuar futbollin. Ai duhet të largohet. Tani”, përfundoi Figo.
Luis Figo është një nga emrat më të mëdhenj të futbollit evropian. Gjatë karrierës së tij zhvilloi afro 800 ndeshje në nivel klubesh me Sportingun, Barcelonën, Real Madridin dhe Interin, ndërsa me kombëtaren e Portugalisë regjistroi 127 paraqitje.
Lajmi kryesor:
Infantino pranon gabimet dhe kërkon falje, kreu i FIFA-s refuzon të dorëhiqet: Procesi duhet të menaxhohej ndryshe, s'do tolerojmë më sulme





