Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, si institucioni përgjegjës për regjistrimin e personelit shëndetësor është duke përpunuar të dhënat e të gjithë mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve dhe raporton se, procesi pritet të përfundojë në fund të muajit mars. Duket se në programin e ri të ricertifikimit do të përfshihet dhe stafi i infermierëve, të cilët deri në fund të vitit të kaluar kanë qenë të përjashtuar nga ky program.
Më herët, pohimin e bëri drejtoresha e QKEV-së, Entela Shehu, e cila në konkluzionet e programit 5-vjeçar të ricertifikimit tha se, shumica e personelit shëndetësor i ka përmbushur detyrimet, ndërsa do të merret në konsideratë dhe kategoria e infermierëve, e cila jo vetëm që përbën një kontingjent të madh në qendrat shëndetësore shqiptare, por ka kontakt të drejtpërdrejtë me pacientin.
“Një sfidë e rëndësishme e jona është që të marrim në konsideratë përfshirjen e infermierëve në programin e ricertifikimit, duke pasur parasysh që është një kategori shumë e rëndësishme, qoftë nga pikëpamja numerike, qoftë nga kontakti i drejtpërdrejtë që ata kanë me pacientët.
Gjatë vitit të fundit kemi marrë shumë sugjerime për përmirësimin e kritereve të programit të rilicencimit, në mënyrë që ato të lidhen me cilësinë e aktiviteteve që ofrohen dhe me përmirësimin e cilësisë së shërbimit. Në muajin mars do të ketë ende mjekë, farmacistë dhe dentistë, të cilët ende nuk kanë asnjë kredit, edhe vendet e tyre do të bëhen vakante. Ata, detyrimisht duhet t’i nënshtrohen një testimi. Por, bazuar në të dhënat tona, do të ketë dhe punonjës të shërbimit shëndetësor, që nuk kanë marrë kreditet e plota.
Edhe ata do t’i nënshtrohen detyrimisht një provimi në mënyrë që të konfirmojnë vendet e punës, duke vijuar të ushtrojnë profesionin. Nga ana tjetër, urdhrat e profesionistëve duhet të shikojnë edhe procesin e rilicencimit të profesionistëve të shërbimit shëndetësor”, u shpreh Shehu.
Si shpërndahen kreditet?
Për aktivitetet e radhës, që organizohen në kuadër të trajnimit dhe edukimit në vazhdim, duket se prioritet u është dhënë infermierëve. Kështu edhe pse ende nuk ka dalë vendimi për kreditet vjetore të tyre, ashtu siç është caktuar për mjekët (30 kredite në vit) dhe për farmacistët e dentistët (20), duket se ndjekja e këtyre seminareve do të jetë në favor të tyre, pasi do të regjistrohet në regjistrin e QKEV-së. Sipas vendimit, numri i kërkuar i krediteve të edukimit në vazhdim është 100 (20 kredite për çdo vit) për farmacistët dhe dentistët, kurse për mjekët 150 (30 kredite në vit).
Nëse gjatë viteve kalendarik në periudhën 2010-14, të punësuarit e shërbimit kanë ndërprerë marrëdhëniet e punës për 4 muaj e më gjatë, përjashtohen nga detyrimet për vitin në fjalë. Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim informon se, nëse këta punonjës kanë filluar të ushtrojnë profesionin pas vitit 2010, detyrimet e tyre fillojnë, që nga viti kur janë punësuar. Nëse në periudhën 2010-14 kanë kryer ose janë duke ndjekur programe universitare të akredituara (specializim, doktoraturë, master, kurs tjetër pasuniversitar), brenda ose jashtë vendit, janë të përjashtuar nga detyrimet e Programit të Ricertifikimit. Gjithashtu, të gjithë profesionistët që nuk kanë ofruar drejtpërdrejt shërbime shëndetësore, por kanë ushtruar funksione administrative janë të përjashtuara nga detyrimi për kohën gjatë së cilës kanë pasur pozicione administrative. Në asamblenë e Urdhrit të Infermierit para disa kohësh, gjatë diskutimeve mes zv.ministres së Shëndetësisë, Milva Ikonomi dhe anëtarëve të UISH-së, u dialogua edhe përfshirja e tyre në programin e ricertifikimit gjatë viteve në vijim.
“Shekulli” publikon aktivitetet e radhës, 2 prej të cilave zhvillohen në qarkun e Vlorës dhe të Fierit, edhe pjesëmarrja në to u jep mjekëve të përgjithshëm dhe mjekëve të familjes nga 27 kredite. Ndërsa kreditet, për dy programet e akredituara në 23 dhe 26 janar, të cilat do të zhvillohen në Tiranë, ku ftohen të marrin pjesë stomatologët dhe infermierët, ende nuk janë zbardhur.
Ku mund të shihni kreditet që keni marrë
Infermierët deri më sot nuk janë përfshirë në programin e licencimit, por po punohet që edhe ata të marrin pjesë në konferenca e seminare për grumbullimin e krediteve. Ky pohim u bë i ditur nga drejtoresha e QKEV-së, Entela Shehu, e cila shtoi se shumica e personelit shëndetësor i ka përmbushur detyrimet, me një interes të jashtëzakonshëm në dy muajt e fundit. “Ne kemi ngritur një sistem, sipas modeleve perëndimore.
Natyrisht, është adaptuar sipas kushteve të Shqipërisë, duke patur parasysh mundësitë që ka sistemi ynë për të ofruar edukim të vazhdueshëm për të gjithë personelin. Ne shumë shpejt do të japim një pasqyrë të de tajuar të këtij programi në këto 5 vite, megjithatë unë mund t’ju them se shumica e personelit shëndetësor, i kanë përmbushur detyrimet e programit të ricertifikimit. Sa i përket kategorisë së profesionistëve, që deri më tani kanë marrë numër të vogël kreditesh, janë të inkurajuar të lexojnë literaturë shkencore, që lidhet me punën e tyre dhe ta raportojnë atë pranë QKEV-së.
Drejtuesit e institucioneve shëndetësore duhet t'iu japin mundësi kësaj kategorie të marrin pjesë në aktivitete të akredituara. Gjithsesi, në përfundim të ciklit të parë të programit të ricertifikimit do të bëhen të qarta dhe do të deklarohen hapat e mëtejshëm .
Si penalizohen mjekët që nuk kanë kreditet e mjaftueshme
Profesionistët e shëndetësisë, të cilët deri në fund të vitit nuk kanë përmbushur numrin e kërkuar të krediteve, që parashikon program i ricertifikimit, do të ndëshkohen sipas vendimit me nr. 295, datë 08.07.2014, i ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Sipas këtij vendimi, për profesionistët e sektorit publik sanksionet janë si më poshtë: atyre profesionistëve, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca.
Që prej ditës kur njoftohen nga QKEV, drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant, çdo 3 muaj brenda vitit, deri në paraqitjen e një kandidature të përshtatshme. Njëkohësisht, urdhri profesional përkatës pezullon licencën. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit.
Profesionistët me më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por ndërkohë duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca.
Licenca
Për profesionistët e sektorit privat sanksionet janë si më poshtë: Për profesionistët e sektorit privat që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, urdhri profesional përkatës pezullon licencën, pas njoftimit nga QKEV. Këta profesionistë fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Institucionet përgjegjëse, të ngarkuara për ndjekjen e këtij vendimi janë: Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, Autoriteti Shëndetësor Rajonal, Tiranë, Drejtoritë e Shëndetit Publik, Drejtoritë e Shërbimeve Spitalore Rajonale, Spitali Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” Tiranë, Spitali Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Koço Gliozheni” ,Tiranë, Spitali Universitar i Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi” Tiranë, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë dhe Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë.
Bonuset që merren brenda dhe jashtë vendit
Aktivitetet e radhës, të cilat do të zhvillohen në muajin mars të këtij viti janë të pasqyruara, si më poshtë dhe një hapësirë e gjerë është lënë për stafin e infermierëve në vend. I radhës, është kursi me temë “Kujdesi infermieror”, i cili do të zhvillohet në datën 13 shkurt në Tiranë, ndërsa të tjerë aktivitete do të zhvillohen në QSUT apo spitalin rajonal të Durrësit. Nga QKEV, bëhet e ditur se për të regjistruar kreditet e marra nga aktivitete të zhvilluara jashtë vendit, një punonjës i personelit mjekësor duhet të paraqesë pranë QKEV-së certifikatën që ka përfituar, si dhe programin e detajuar në orë të aktivitetit. QKEV ruan në dosjen kopjen e certifikatës origjinale, ndërkohë që këtë të fundit e mban vetë punonjësi. Për të lehtësuar regjistrimin e krediteve të këtyre aktiviteteve ata duhet të paraqesin dokumentacionin vetëm 2 herë në vit. Pra, për të gjitha aktivitetet e ndjekura gjatë 6-mujorit të parë të vitit mund të shkojnë pranë QKEV-së, deri në fund të shtatorit të po të njëjtit vit, ndërsa për regjistrimin e krediteve të aktiviteteve të kryera gjatë 6-mujorit të dytë të vitit, deri në dhjetor./Shekulli/
Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)