Infertiliteti, rreth 30% e çifteve
mbeten pa fëmijë

Infertiliteti, rreth 30% e çifteve<br />mbeten pa fëmijë
TIRANE- Pamundësia për të lindur një fëmijë apo për të riprodhuar duket se sot po kthehet problem serioz për një numër të madh çiftesh në vendin tonë. Sipas specialistëve të shëndetit publik, infertiliteti në Shqipëri po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Rreth 30% e çifteve vend nuk arrijnë të sjellin në jetë një fëmijë, si pasojë e tij. Por kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë pasi institucionet shëndetësore si ato publike dhe private nuk kanë statistika të sakta. Por ajo që thekson specialistja Miranda Hajdini është se kur infertiliteti kapet në kohë edhe mund të parandalohet.

“Ka një shkallë rritjeje dhe kjo ka të bëjë me faktorët që shkaktojnë infertilitetin. Është dhe femëror dhe mashkullor dhe shkaqet ndahen tek femrat dhe tek meshkujt gati 25-30% dhe pjesa tjetër i takon shkaqeve të panjohura që nuk janë studiuar, që çiftet nuk arrijnë të kenë një fëmijë."-u shpreh Miranda Hajdini, mjeke specialiste. Ndërkohë bluzat e bardha thksojnë se shkaktarët janë të shumtë si te femrat dhe tek meshkujt ndërsa rendisin infeksionet seksualisht të transmetueshme, kequshqyerjen, stresin, përdorimin e alkoolit apo duhanit, por dhe ndotjen e mjedisit apo rrezatimet.

"Arsyet fillojnë që nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme të cilat tek femrat janë shkaku kryesor i pamundësisë për të lindur. Gjithashtu është stili i jetës, stresi, droga, alkooli, duhani gjithashtu shkakton impotencë tek meshkujt” nënvizojnë bluzat e bardha. Sa i përket “fajtorit të problemit” për mjekët aktualisht duket se shpërndarja është e njëjtë si tek meshkujt edhe tek femrat. Kjo pasi përveç faktorëve të sipërpërmendur, ndikon edhe mosha në të cilën tashmë çiftet vendosin të krijojnë familje duke iu kushtuar më shumë karrierës në punë. “Për të pasur një fëmijë më vonë se 35 vjeç është shkak gati 20-25%.

Ndërkohë që shkaktarë të tjerë që sjellin infertilitet janë edhe jeta sedentare, obeziteti, diabeti, sëmundjet kardivaskulare"- tha Miranda Hajdini. Sipas saj, stresi dhe gjendja psikologjike janë ndër faktorët që ndikojnë më shumë tek femrat për të mos pasur një fëmijë. Kurse tek meshkujt shkaktarë të infertilitetit janë veset ku hyjnë duhani, alkooli, drogat etj. Për mjekët shqetësim përbën fakti se kontrollet mjekësore te specialistët janë shumë të rralla dhe informacioni për sëmundjet që prekin si meshkujt dhe femrat në vendin tonë, mungon.

Por mjekët thonë se përballë kësaj situate, kanë gjetur edhe një zgjidhje për çiftet që nuk arrijnë të sjellin në jetë fëmijë. Fertilizimi invitro është një nga arritjet e mjekësisë, një metodë kjo që po përdoret gjithnjë e më shumë edhe në vendin tonë dhe ka pasur rezultate në shumë prej këtyre çifteve. Sipas mjekëve, deri më sot ka rezultuar se gjysma e këtyre çifteve kanë mundur të kenë një fëmijë pas përdorimit të këtyre metodave.
 
Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Gruaja hidhet në det nga shëtitorja e Lungomares, shpëtohet dhe transportohet në spital (VIDEO)

Vlorë/ Gruaja hidhet në det nga shëtitorja e Lungomares, shpëtohet dhe transportohet në spital (VIDEO)