Inflacioni i lartë, si po e rrezikon konkurrencën

Inflacioni i lartë, si po e rrezikon konkurrencën

Foto ilustruese

Në muajt e fundit, Autoriteti i Konkurrencës ka hapur dy hetime të lidhura me dyshimet për sjellje të bashkërenduar në rritjen e çmimeve në disa tregje.

Në muajin korrik 2022, ky institucion hapi një hetim paraprak në tregun e prodhimit, importit dhe shitjes me shumicë të çimentos, me qëllim për të evidentuar nëse ekzistojnë shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës në këtë treg.

Nga të dhënat e administruara gjatë monitorimit të tregut prej sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës, ka rezultuar se çmimi i shitjes së çimentos nga ndërmarrjet importuese dhe prodhuese ka pasur tendencë rritjeje të fortë, duke arritur drejt një çmimi rreth 115-120 euro/ton, thuajse të njëjtë për të gjithë konkurrentët në tregun e çimentos, si ata të importit, ashtu dhe të prodhimit të brendshëm.

Gjithashtu, nga monitorimi konstatohet se ndryshimi i çmimeve ka ndodhur në të njëjtën periudhë për ndërmarrjet importuese dhe prodhuese.

Ndërkohë, në muajin tetor, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të betonit në qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, për të vlerësuar ekzistencën e mundshme të shenjave të kufizimit të konkurrencës.

Nga procedura e monitorimit të tregut të prodhimit dhe shitjes me shumicë të produktit beton është konstatuar një numër i madh ndërmarrjesh të cilat operojnë në të. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve, të cilat ushtrojnë veprimtari në tregun e prodhimit të betonit, janë ndërmarrje ndërtuese, duke e përdorur produktin beton si lëndë të parë për qëllimin e aktivitetit të tyre në fushën e ndërtimit.

Por, nga ana tjetër, nga monitorimi është konstatuar se disa nga ndërmarrjet konkurrente kanë marrëdhënie tregtare me njëra-tjetrën lidhur me plotësimin e nevojave për furnizim.

Rritja e çmimit të betonit në të gjitha ndërmarrjet ka ndodhur në të njëjtën kohë në periudhën shkurt-mars të vitit 2022 dhe në të njëjtën masë, rreth 30%. Çmimet e shitjes së produktit beton ndërmjet ndërmarrjeve janë të përafërta, sipas kategorive të betonit.

Bazuar në faktet e mësipërme, Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se çmimet e përafërta të shitjes së ndërmarrjeve prodhuese të betonit, rritja në të njëjtën periudhë, homogjeniteti i produktit dhe transparenca e tregut, marrëdhëniet tregtare ndërmjet konkurrentëve në këtë treg janë të gjitha elemente, të cilat mund të çojnë drejt një sjellje të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve në Qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Duke qenë se çimentoja është një nga lëndët e para bazë për prodhimin e betonit, rritja e çmimeve në këtë treg duket rrjedhojë e një efekti zinxhir. Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës i ka vënë të dyja tregjet nën hetim, për të kuptuar nëse këto rritje çmimesh mund të jenë rezultat edhe i sjelljeve të mundshme abuzive, në shkelje të ligjit të Konkurrencës.

Rritja e çmimeve në zinxhirin e prodhimit ka sjellë  rritje rekord të kostove të ndërtimit gjatë vitit 2022. Sipas INSTAT, për tremujorin e tretë 2022, indeksi i kushtimit në ndërtim u rrit me 7.2% me bazë vjetore. Rritja e kostove ka prekur të gjitha zërat e shpenzimeve, por nivelet më të larta regjistrohen në shpenzimet për energji, me 15.5% dhe shpenzimet materiale, me 8%.

Rritja e kostove të ndërtimit po krijon presione shtesë për rritjen e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë 2022, çmimet e banesave shënuan  rritje rekord, me 39% më shumë krahasuar me një vit më parë.

“Monitor” iu drejtua Autoritetit të Konkurrencës, me një kërkesë zyrtare për intervistë me Kryetarin Denar Biba, rreth rreziqeve të shtuara për mirëfunksionimin e konkurrencës, që mund të sjellin situatat inflacioniste. Kërkesa jonë nuk mori përgjigje.

OECD: Ja pse inflacioni mund të nxisë kartelet

Një material i përgatitur këtë vit nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) trajton në veçanti rreziqet e shtuara për sjellje antikonkurruese gjatë periudhave inflacioniste.

Dokumenti nënvizon se, në periudhat e inflacionit të lartë, çmimet nominale duhet të ndryshojnë shpesh, pasi në të kundërt, kjo do të nënkuptonte ulje të ndjeshme të çmimeve reale.

Një situatë e tillë ka potencialin të ndërhyjë në momente kyç të konkurrencës, konkretisht në mënyrën se si firmat vendosin çmimet e tyre, që të konkurrojnë për klientët. Duke qenë se çmimet ndryshojnë shpesh, për firmat bëhet e vështirë të dinë se çfarë çmimesh do të aplikojnë konkurrentët.

Nga njëra anë, ndryshimi i shpejtë i çmimeve mund ta vështirësojë koordinimin dhe fiksimin e çmimeve, sepse firmat konkurrente e kanë më të vështirë të monitorojnë sjelljen e njëra-tjetrës.

Disa studime sugjerojnë se mund të jetë më e vështirë për të mbajtur një kartel në kushtet e inflacionit në rritje, sepse mjedisi i paqëndrueshëm ndikon negativisht aftësinë e firmave për të koordinuar sjelljen me njëra-tjetrën.

Ana tjetër e medaljes është se në një mjedis inflacionist, ka më shumë të ngjarë që si bizneset, ashtu edhe konsumatorët të kenë pritshmëri për rritje çmimesh.

Në disa raste, kjo mund të ndikojë në gjasat që firmat të veprojnë në mënyrë të koordinuar. Inflacioni i lartë mund të komprometojë konkurrencën midis firmave rivale, ose të sigurojë mbulesë të përsosur për të lidhur marrëveshje për të rritur çmimet së bashku.

Inflacioni krijon një mjedis që mund të nxisë rritjen e bashkërenduar të çmimeve, për t’iu përgjigjur presioneve në rritje nga krahu i kostove. Madje, mund të ketë lehtësi që bizneset të formojnë kartele në kuptimin e plotë fjalës, për të përthithur rritjen e kostove në periudha inflacioniste. Në anën tjetër, këto marrëveshje mund të arrihen edhe pa krijuar kartele në kuptimin tradicional të fjalës.

Në kushtet e inflacionit të lartë, komunikimi i rritjes së çmimeve për konsumatorët mund të jetë element i natyrshëm në funksionimin e tregut. Shembull i komunikimit të rritjes së çmimeve në Shqipëri gjatë këtij viti ka qenë tregu i qumështit dhe nënprodukteve të tij.

Këto komunikime mund t’iu shërbejnë firmave si sinjale për të koordinuar sjelljen, pa pasur domosdoshmërisht një marrëveshje të mirëfilltë mes tyre.

Nëse një ndërmarrje njofton se, duke filluar nga një datë e caktuar do të rrisë çmimet, ky mund të jetë një sinjal për konkurrentët që të veprojnë në të njëjtën mënyrë, edhe duke pasur parasysh se presionet në krahun e kostove mund të jenë të ngjashme për të gjitha firmat në treg. Në këtë mënyrë, njoftimet publike nëpërmjet komunikatave apo intervistave mund të jenë një mekanizëm mirëkuptimi dhe koordinimi mes firmave.

Për shembull, ekziston rreziku që shoqatat që mbledhin kompanitë e industrive të caktuara të lehtësojnë koordinimin në përcaktimin e çmimeve, sidomos duke shfrytëzuar informacionin që shkëmbehet në to

Hetimi i KE-së për firmat e transportit detar

Një rast ku natyra e shpalljeve publike të çmimeve është vënë nën hetim është procedura e ndjekur nga Komisioni Europian për disa kompani të transportit detar me kontejnerë.

Hetimi mori shkas nga praktika e kompanive të këtij shërbimi, për të shpallur rritjen e ardhshme të çmimeve, duke përfshirë detajet e shumës së rritjes dhe datën e planifikuar për zbatimin e rritjes, zakonisht disa javë pas njoftimit. Komisioni konstatoi se procesi zakonisht niste njërën palë që bënte një njoftim për rritjen e afërt të çmimeve, ndërsa të tjerat e ndiqnin menjëherë me njoftime të ngjashme.

Hetimi evidentoi se, në disa raste, njoftimet për rritje çmimesh nuk ishin konkretizuar. Komisioni ishte i shqetësuar se njoftimet ofronin një mundësi që kompanitë e transportit detar të testonin tregun për të parë nëse mund të zbatojnë rritje çmimi.

Palët nën hetim nuk ranë dakord se ishin angazhuar në një praktikë të bashkërenduar. Megjithatë, në përgjigje të hetimit, ata morën angazhime që u pranuan nga Komisioni. Angazhimet ishin që shpalljet e çmimeve do të përmbanin informacion të detajuar mbi çmimet e reja që do të tarifoheshin, njoftimi të mos bëhej më shumë se 31 ditë përpara aplikimit të rritjes, si dhe çmimet e njoftuara duhet të ishin të detyrueshme si çmime maksimale.

Shembuj të ngjashëm me rastin e firmave të transportit detar në BE janë vërejtur gjatë këtij viti edhe në Shqipëri. Rasti më tipik është ai i përpunuesve të qumështit. Qumështi dhe produktet e bulmetit kanë qenë ndër produktet e shtrenjtuara më shumë gjatë këtij viti.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se inflacioni vjetor i nëngrupit “qumësht, djathë, vezë” në tetor arriti nivelin rekord prej 24.3%.

Në disa raste, këto shtrenjtime kanë qenë të paralajmëruara nga tregtarët. Për shembull, në fund të muajit korrik, përpunuesit e qumështit njoftuan tregtarët me pakicë se çmimet e shitjes së qumështit, duke filluar nga data 1 gusht do të rriteshin.

Sipas përpunuesve, rritja e çmimit ka ardhur nga ulja ofertës dhe rritja e ndjeshme e çmimit të qumështit, por edhe rritja e kostove të tjera, që nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, ndryshimi i shkallës së TVSH-së, etj.

Megjithatë, rritja e njëkohshme e çmimeve nga firmat kryesore në treg teorikisht mund të jetë indicie për një sjellje të mundshme të bashkërenduar, në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Deri tani, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka bërë publike të dhëna për ekzistencën e procedurave të monitorimit apo hetimit për tregun në fjalë.

Informacioni i konsumatorit mund të jetë një sfidë

Tregjet konkurruese mbështeten në një krah të kërkesës që funksionon mirë, duke filluar nga informacioni që disponon blerësi. Kjo do të thotë që konsumatorët të kenë akses në informacionin që ata kërkojnë, për të marrë vendime të informuara, aftësinë për ta përpunuar atë informacion dhe më pas të bëjnë zgjedhjet e tyre.

Periudhat inflacioniste dhe rritjet e shpeshta të çmimeve mund të krijojnë konfuzion edhe në informacionin që zotërojnë konsumatorët për çmimet. Kur çmimet janë në ndryshim (në këtë rast në rritje) të vazhdueshëm, për konsumatorët mund të jetë më e vështirë të kenë informacion të mjaftueshëm krahasues, për të ditur se ku qëndrojnë çmimet e një firme në raport me të tjerat.

Nëse në mallrat e konsumit ditor që konsumatori i gjen në rastet e marketeve, krahasimi është më i lehtë, për shumë produkte apo shërbime të tjera, krahasimi mund të jetë më i vështirë. Nëse konsumatorët janë më pak të vetëdijshëm për çmimet, kjo zvogëlon nxitjen e firmave për të ulur çmimet.

Madje, në këto kushte, firma mund të përballet me një shtysë për të rritur më tej çmimet, pasi mund të fitojë fitime më të larta për shitje, duke qenë më pak e rrezikuar të humbasë konsumatorët, pikërisht për shkak të dinamikës së shpejtë të çmimeve, që mund ta bëjë më të vështirë krahasimin.

Marrja e informacionit të çmimeve ka të ngjarë të jetë e kushtueshme në kohë dhe para për konsumatorët. Për shembull, kjo mund të kërkojë që konsumatori të shkojë fizikisht në shumë njësi shitjeje, ose të marrë kontakte me shumë firma që e ofrojnë produktin që i nevojitet.

Në periudha inflacioniste, konsumatorët mund të vlerësojnë se kjo nuk do të kishte shumë vlerë, sepse ata kanë një perceptim të përgjithshëm se të gjitha çmimet janë në rritje dhe për rrjedhojë nuk ka shumë gjasa që t’ia vlejë kërkimi për çmime më të lira.

Një nga masat që mund të marrin autoritetet në këto raste është vendosja e detyrimeve për publikim transparent të çmimeve, apo mbështetja e projekteve që mund të lehtësojnë krahasimin e çmimeve mes firmave në treg.

Një tjetër fenomen që mund të bëhet veçanërisht i spikatur nga bizneset në periudha inflacioniste është tkurrja e sasisë së produktit pa ulur çmimin (shrinkflation). Një sjellje e tillë është mënyrë për të maskuar rritjen e çmimit për njësi të produktit.

Kjo formë mund ta bëjë më të lehtë shitjen e produktit, sepse përgjithësisht konsumatorët janë më të ndjeshëm ndaj rritjes së drejtpërdrejtë të çmimit, sesa ndaj uljes së sasisë së produktit, duke paguar të njëjtën vlerë.

Studimet kanë treguar se konsumatorët kanë më pak gjasa ta braktisin një produkt kur ulet sasia, se sa kur rritet çmimi. Kjo mund të krijojë nxitje për prodhuesit që të zgjedhin këtë formë për ta kamufluar rritjen e çmimeve.

Praktika të tilla kanë potencialin për ta dëmtuar edhe më shumë aftësinë e konsumatorëve për të perceptuar rritjen e çmimit, apo qoftë edhe për të bërë një krahasim mes produkteve konkurrente.

Si përgjigje për këtë praktikë të përdorur nga firmat, shumë vende kanë vendosur detyrime që, përveç reklamimit për çdo paketim apo ambalazhim, shitësit me pakicë të paraqesin edhe çmimin për njësi, për shembull për kilogram apo për litër të çdo produkti që tregtojnë. Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë që në periudha inflacioniste mund të vendosen detyrime më të hollësishme ligjore ndaj firmave lidhur me informacionin që japin për çmimet e produkteve.

Shembuj të këtyre praktikave janë vërejtur në vitet e fundit në tregun e detergjentëve ose të pijeve freskuese. Rasti i detergjentëve është, në fakt, një lëvizje e përbashkët e ndërmarrë afërsisht një dekadë më parë nga kompanitë më të mëdha globale të prodhimit dhe tregtimit të këtyre produkteve.

Për këtë qëllim, madje ato kanë përgatitur marrëveshje të posaçme, që janë paraqitur për përjashtim nga ndalimi pranë Autoriteteve të Konkurrencës.

Qëllimi i bashkëpunimit ka qenë prodhimi i detergjentëve më të koncentruar, për të ulur kostot e transportit dhe tregtimit të tyre në njësitë e shitjes me pakicë. Në teori, prodhuesit kanë argumentuar se ky rast nuk përbën shrinkflation, sepse një produkt më i koncentruar i lejon konsumatorit të përdorë sasi më të vogël, pa humbur në cilësi. Por, në industrinë ushqimore, shitja e paketimeve me sasi më të vogël po bëhet më e përhapur në kushtet e rritjes së çmimeve.

A duhet ta luftojë Autoriteti i Konkurrencës inflacionin?

Në misionin ligjor të Autoriteteve të Konkurrencës nuk përfshihen detyrime të lidhura me kontrollin e inflacionit. Tradicionalisht, ky mision u besohet bankave qendrore dhe politikave të tyre monetare.

Megjithatë, studimet kanë treguar se politikat e mbrojtjes së konkurrencës kanë  efekt pozitiv në ruajtjen e niveleve të ulëta të inflacionit në afatin e gjatë. Sa më konkurrente të jenë tregjet, aq më të mëdha janë gjasat që çmimet të jenë produkt i mekanizmave të kërkesë-ofertës dhe jo i sjelljes abuzive të kompanive të mëdha apo të marrëveshjeve mes tyre.

Në dokumentin e saj, OECD thekson se puna e Autoritetit të Konkurrencës në periudha inflacioniste duhet të ketë fokus në misionin e tij të zakonshëm për të luftuar sjelljet antikonkurruese, por specifikisht mund të tentojë të vendosë një theks më të madh tek instrumentet e avokatësisë dhe komunikimit.

Kjo do t’i shërbente rritjes së informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut, qofshin konsumatorë apo biznese, rreth rolit të Autoritetit të Konkurrencës dhe mënyrës sesi ky institucion mund të ndihmojë në adresimin e problemeve të lidhura me konkurrencën./Monitor

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion