Ish-prokurori Eugen Beci thotë se ndryshe nga ç’parashikohet në Kodin e Procedurës Penale, paraburgimi është konsideruar si masë e zakonshme. Gjatë bisedës në “Sot Live” në Report TV, Beci shprehet se zinxhiri prokurori-gjykatë e ka tepruar me zbatimin e kësaj mase sigurie.

“Paraburgimi është trajtuar si masë shtrënguese e zakontë, Ndërkohë Kodi I Procedurës Penale parashikon qartësisht faktin që paraburgimi është masë shtrënguese në rast se çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Mbetur në këtë suazë, duke iu referuar mënyrës sesi gjykatat shqiptare me kërkesë të prokurorive bëjnë caktimin e masës së sigurimit si të ishte gjëja më e lehtë që mund të ndodhte, shkojmë në një argument tjetër. Paraburgimi kërkon të dhëna të mbështetura në prova për të vërtetuar që çdo masë tjetër është e papërshtashme për të siguruar hetimin dhe izolimin e personit për ndjekje penale”,  tha Beci.

Ish-prokurori shton se kjo lidhet edhe me dështimin e reformës në drejtësi që ka shkaktuar dosjet stok. Nëse hetimet e çështjeve do të përparonin, raporti i frikshëm i të paraburgosurve nuk do të pasqyronte rritjen e numrit të tyre.

“Standardi i dytë që duhet të preket është dështimi total i reformës në drejtësi sa i përket ecurisë së shpejtë të hetimeve. Hetimet e shpejta do të bënin që të paktën ai raporti që flet mazhoranca dhe Këshilli i Europës, do të ishte i zhbërë në drejtim të të dënuarve. Nëse ti e paraburgos një person dhe hetimi të zgjat, normale që raporti mes të paraburgosurve dhe të burgosurve do të çekuilibrohet. Zvarritja e proceseve hetimore sjell shumë më tepër të paraburgosur. Nëse procesi hetimor do të jetë i shpejtë nuk mund të themi që u harrua në burg. Janë dy elementë që nënkuptojnë standardin e cilësisë dhe defektet që prodhoi reforma duke u harruar e zvarritur dosjet”, u shpreh ai.

Beci u ndal edhe te pagat e gjyqtarëve të cilët debatojnë me qeverinë duke kërkuar rritje. Për këtë çështje, ai u shpreh se problemi duhet të shqyrtohet dhe zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese.

“Pagat është një problem që duhet të sqarohet mes një pale dhe tjetrës që shkojnë në gjykatë. Unë mendoj që më është shkelur e drejta, ti mendon që s’ma ke shkelur të drejtën si qeveri, hajde të shkojmë në Gjykatën Kushtetuese ta sqarojmë. Le të vendosë Gjykata Kushtetuese dhe le t’i kthejë përgjigje”, përmbylli ish-prokurori.