Inflacioni regjistroi rritje në Korrik në 1,8%, pas tre muajve në nivele të ulëta. Sipas INSTAT rritja e inflacionit është përcaktuar kryesisht nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 8,5%, pasuar nga “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,9%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,6% e “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,5%.

Nisja e sezonit turistik në vend, ndonëse jo në shifrat e pritshme gjatë muajit Korrik, ka dhënë ndikimet e para në rritjen e çmimeve për këto grupe. Grupi me peshën kryesore në inflacion, “Ushqime e pije joalkoolike”, u karakterizua nga një inflación i qendrueshëm dhe relativisht i ulët në dy muajt e fundit me 2.1% për t’u rritur në muajin Korrik në 2,6%.

Ky grup formohet kryesisht nga produktet bujqësore. Ndërkohë, heqja e TVSH nga fillimi i vitit për barnat dhe shërbimet shëndetësore po ndikon në vlera më të ulëta të inflacionit në këtë grup ku për Korrikun u regjistrua në -0,21%. Ekspertët e Bankës Qendrore s’parashikojnë ndonjë rritje të konsiderueshme të inflacionit.