Rreth 2 mijë persona janë informuar këtë sezon në infopointin e Shëngjinit, duke kërkuar të dhëna mbi destinacionet turistike që mund të vizitojnë në Lezhë.
Interesi më i madh është shfaqur nga turistët e huaj, të cilët përveç plazheve dhe zonave bregdetare, kanë kërkuar të njihen edhe me pasuritë historike dhe kulturore të qytetit.
Pikat historike të Lezhës, monumentet e kulturës, por edhe destinacionet natyrore janë ndër kërkesat më të shpeshta të turistëve që ndalojnë në këtë pikë informacioni.
"Infopoint ka qenë që prej 11 qershorit. Interesi është rritur, por më të interesuarit kanë qenë të huajt rreth 880. Mes tyre janë nga Polonia, Italia, Belgjika dhe Bosnja-Hercegovina. Më shumë janë të interesuar për bregdetin, vendvarrimin e Skënderbeut dhe disa kisha antike”, thotë Marsel Bakaj.
Infopointi në Shëngjin funksionon gjatë sezonit veror, ndërsa synimi i tij është t’u vijë në ndihmë turistëve me informacion mbi atraksionet, aktivitetet dhe destinacionet që mund të vizitojnë gjatë qëndrimit të tyre në Lezhë.
Përmes kësaj pike orientimi, vizitorët mund të marrin informacion për zonat bregdetare, por edhe për trashëgiminë historike e kulturore, duke zgjeruar kështu interesin e turistëve përtej plazheve.






Komente
Komento