Gjatë fushatës kundër informalitetit vitin e shkuar, vetëm në 5 muaj, tatimet kanë ushtruar rreth 180 mijë kontrolle ndaj bizneseve. Për herë të parë administrata tatimore ka zbardhur të dhënat e plota të aksionit kundër informalitetit, e cila arriti kulmin në periudhën gusht-dhjetor 2015. Tirana dhe Durrësi rezultojnë qytetet me numrin më të madh të kontrolleve, përkatësisht 53 mijë dhe 33 mijë kontrolle. Po ashtu, në këtë periudhë kohore, në drejtim të bizneseve 49 mijë telefonata. 

Vetëm në 15 biznese të mëdha të kontrolluara janë gjetur shkelje me vlerë 596 milionë lekë, afro 5 milionë dollarë. 

Ndërkohë që po kaq voluminoze rezultojnë edhe apelimet nga ana e tatimpaguesve. Në total numërohen 7450 apelime për gjoba e detyrime nga ana e bizneseve, për një vlerë prej 16 miliardë lekësh, afërisht 150 milionë dollarë.

Administrata tatimore ka marrë në shqyrtim 3,998 apelime të tatimpaguesve, dhe ka refuzuar 2,424 të tjerë. Shuma totale e apelimeve të pranuara është 530 milionë lekë, afërisht 5 milionë dollarë.

Ndërkohë që janë lënë në fuqi një total gjobash prej 5,3 miliardë lekësh, rreth 45 milionë dollarë dhe janë refuzuar të merren parasysh 10 miliardë lekë, apo rreth 95 milionë dollarë. 

Ndërkohë që nuk kanë munguar as rastet e dyshimeve për korrupsion nga ana e vetë tatimorëve. Raporti zbulon se Drejtoria e Investigimit të Brendshëm të tatimeve ka marrë në shqyrtim 59 çështje. Për 18 çështje të jenë kryer shkelje administrative gjate ushtrimit te detyrës nga 38 punonjës të Administrates Tatimore.

Punonjësit për shkeljet e konstatuara janë referuar për në Komisionin e Disiplinës. Për 5 çështje kanë rezultuar të kenë kryer shkelje ligjore gjatë ushtrimit të detyrës, të cilat përmbajnë elementë të kryerjes së veprave penale, nga 10 punonjës të Administratës Tatimore.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)