Projektet e rrugëve që janë përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2017, tashmë është në Kuvend, kushtojnë 135 miliardë lekë ose 1 miliard euro. Deri më tani janë financuar 59 miliardë lekë, teksa mbeten edhe 75 miliardë lekë të tjera. Kostoja totale është planifikuar të mbulohet në masën 67% nga kreditë dhe fondet e huaja me një vlerë 89 miliardë lekë.

Nga kjo shumë deri më tani janë futur në punë 35 miliardë lekë dhe mbeten për t’u financuar edhe 54 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e shpenzimeve i takon mirëmbajtjes së rrugëve, me një shumë prej 17 miliardë lekësh që pritet të angazhohet nga donatorët, kryesisht Banka Botërore.

Gjithashtu në financimin e huaj janë të përfshira “by pass”-et e Fierit, Vlorës, Rrogozhinës dhe Lezhës. Pjesë e financimit të huaj është edhe studimi i fizibilitetit për autostradën Ariatiko-Joniane.

Nevojat e infrastrukturës rrugore nga financimi i brendshëm janë llogaritur të financohen me 33% ose me rreth 45 miliardë lekë nga të cilat janë angazhuar deri më tani 24 miliardë lekë dhe mbeten për t’u siguruar më tej edhe 21 miliardë lekë. Financimi i projekteve me fondet në fjalë është programuar deri në vitin 2019, por disa projekte do të mbulohen me fonde edhe pas këtij viti.

Nga financimet e brendshme akset kryesore për ndërtim janë rruga Fushë-Krujë–Milot-Morinë, rruga Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Rruga Qafë–Thanë-Lin-Pogradec, rruga Lushnjë–Berat etj.

Shpenzimet kapitale për vitin 2016 do të arrijnë shifrën më të ulët në dekadën e fundit, në më pak se 60 mld lekë.

Të dhënat fiskale tregojnë, që totali i shpenzimit publik është nën normën e përcaktuar, 82.5 mld lekë (5% e PBB). Duke mos llogaritur detyrimet e prapambetura të vitit të mëparshëm, shpenzimi total ka shënuar një rënie prej 1.4% në terma vjetore.

Me gjithë fondet në ulje vit pas viti, edhe ato nuk po mund të realizohen. Qeveria e ka shndërruar në traditë shkurtimin e fondeve të investimeve në mes të vitit. Edhe këtë vit, plani i investimeve publike shkurtoi fondet për këtë zë. Por gjithashtu nuk ka edhe një përdorim eficient të tyre.

Në listën e detajuar të shpenzimeve rezulton se, nga 500 milionë dollarë që i jep buxheti i shtetit për investime publike çdo institucioni, rreth 50 milionë dollarë do të shkojnë për të lehtësuar punën e nëpunësve dhe ministrive. Këto shpenzime, të cilat llogariten si shpenzime kapitale, në fakt nuk do të shkojnë për të përmirësuar rrugët, për të ndërtuar shkolla apo spitale, shërbime për të cilat qytetarët kanë vërtet nevojë.

Redaksia Online
Al.N/Shqoptarja.com