/ATSH/. - Viti 2014 nuk ishte  më i mirë për Andes Iniestën dhe Barcelonën. Duke bere një bilanc, ai thekson se do të ishte me rrezik nëse katalanasit përsërisnin sërish një vit të tillë. Ai flet mbi objektivat e klubit nga Camp Nou dhe me tone tepër optimiste, duke theksuar se nga viti 2015 pret shumë.

"Kur nuk fiton trofe sigurisht që balanci s'mund te jetë pozitiv, por do të tentojmë që viti 2015 te jetë ndryshe për ne. Kam shumë besim tek ekipi. Mendoj se jemi në gjendje që të luftojmë për të gjithë titujt. Nuk duam një vit tjetër si ai që lamë pas, ndaj pres shumë nga skuadra", tha ai.

Duke folur për momentin negativ që iu desh të kalonte sezonin e shkuar, ku katalanasit humbën kampionatin në shtëpi përballë Atleticos së Simeones, ai u shpres se "Të humbasësh kampionatin në Camp Nou përballë tifozerisë tënde është diçka që dhëmb. Po ashtu edhe Botërori me Spanjën ka qenë një moment negativ për mua. Uroj të mos kaloj më momente të tilla sepse vërtetë janë të vështira për t'u kapërcyer", deklaroi Iniesta.

Duke bere një vlerësim për kryesuesit e La Ligës, Real Madridin, 30- vjecari i cilësoi madrilenët si rivalin kryesor jo vetëm në kampionat, por në të gjithë kompeticionet. "Reali gjithmonë është prezent në çdo kompeticion duke luftuar kundër të gjithëve. Në 2014 fituan shumë dhe me meritë. Ata nuk varen nga një lojtar i vetëm e kjo gjë më pëlqen, por luajnë gjithmonë të bashkuar dhe nga kjo vjen ngritja e tyre si ekip. Barca do të bëjë të njëjtën gjë vitin e ardhshëm. Reali është Reali, mbetet përherë kundershtari për t'u mundur", theksoi ai