/ATSH/- Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit të Punës, Dritan Ylli nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjensisë së Shëndetit dhe Sigurisë në Punë të Turqisë, Kasim Ozer. Kjo marrëveshje u nënshkrua gjatë një vizite dyditore  në Ankara nga një delegacion zyrtar i Inspektoriatit të Punës së Shqipërisë, me ftesë të homologëve të Republikës së Turqisë.

Takimi i parë, që u zhvillua gjatë kësaj vizite, ishte në Agjensinë e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, me Drejtorin e saj. Z. Ozer dhe stafin e tij. Gjatë këtij takimi tepër miqësor dhe bashkëpunues, përfaqësuesit e të dy institucioneve diskutuan mbi sfida të përbashkëta që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, duke shkëmbyer modelet dhe përvojat e të dy vendeve me synim bërjen e vendeve të punës më të sigurta dhe të shëndetshme. Në këtë fushë, Agjensia e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë e Turqisë, ka një përvojë mjaft të vlefshme, nisur nga tradita shumvjeçare në tregun e punës, sikurse dhe kapacitetet dhe mundësitë që dispononte kjo Agjensi në ndihmë të sigurisë dhe shëndetit të punonjësve. Kjo agjensi kishte në dispozicion të saj gjashtë laboratore lëvizës të instaluar në gjashtë autobuse, që shkonin pranë ndërmarrjeve të ndryshme apo minierave, veçanërisht në ato sektorë të rrezikshëm të punës, për të ekzaminuar në vend gjithçka ka të bëjë me ecurinë e shëndetit të punonjësve. Në këtë aspekt Drejtori i Inspektoriatit të Punës së Shqipërisë, Ylli mori mbështetje nga Drejtori i Agjensisë së Sigurisë dhe Shëndetit në Pune të Turqisë, Ozer për studime, trajnime dhe projekte të përbashkëta si  një ndihmëse në përmirësimin e kapaciteteve logjistike dhe teknikave të reja që mund të përdoren, për të siguruar dhe rritur mirëqënien e punëmarrësve në vendet e punës dhe respektimin e të drejtave të tyre. Ky ishte dhe thelbi i marrëveshjes së nënshkruar midis të dy palëve, ku dhe u theksua nevoja e konsolidimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Gjatë kësaj vizite, u bënë prezantime për të dy institucionet përkatëse dhe u hodhën ide dhe mendime të ndryshme për përmirësimin e kushteve të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë për punëmarrësit dhe zbatimin sa më korrekt të ligjit për punëdhënësit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, u vizituan mjediset dhe laboratorët lëvizës të Agjensise së Shëndetit dhe sigurisë në Punë, duke parë më nga afër mënyrën e tyre të punës dhe pajisjet që përdoreshin për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëmarrësve.

Ditën e dytë, delegacioni zhvilloi një takim me Bordin e Inspektimit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Sigurisë Sociale, dhe me Zv.Presidentin e saj, Z. Hulusi Ay.
Në takim u diskutua për metodat me efikase inspektuese në drejtim të luftës kundër punës së zezë, si dhe respektimit të marrëdhënies së ligjshme të punës dhe mbrojtjes së të drejtave të punonjësve. Meqënëse një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare për vitin 2015 dhe kryeprioriteti i Inspektoriatit te Punes, është lufta ndaj informalitetit në tregun e punës dhe punëmarrësve që punojnë të pasiguruar në rregjistrin e sigurimeve, iu dha një rol kyç bashkëpunimit të mëtejshëm në këtë sektor, duke qenë një çeshtje shumë e rëndësishme edhe për Qeverinë Turke. Edhe gjatë këtij takimi u dakortësua nga të dy palët që të vijojnë bashkëpunimin, përmes trajnimeve të përbashkëta, apo projeteve të ndryshme në kuadër të sfidës së luftës kundër punës së zezë.

Pas takimit u zhvillua një vizitë në një kompani prodhimi të baterive të makinave "Yigit Aku", për të parë kushtet e punës dhe mënyrën e implementimit sa më të mirë të rregullave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Më pas u zhvillua një takim tjetër në qendrën e Trajnimeve dhe Shkollës Profesionale të Ndërtimit "Intes Training Center", ku u pa nga afër mënyra e implementimit të kushteve të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, dhe zbatueshmëria e tyre në praktikë.

Takimi i zhvilluar në Turqi ishte mjaft i vlefshëm për të dyja palët, pasi krijon mundësi të reja për implementimin dhe futjen në zbatim të metodave më të mira për kushtet e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë për punëmarrësit dhe punëdhënësit, dhe zbatimin me korrektësi të ligjit dhe të të drejtave dhe sigurisë së jetës së punonjësve.