TIRANE, 5 Dhjetor/ATSH/- Në 3-mujorin e tretë, ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit (IÇP)është 0,3 %, njoftoi sot INSTAT.
Sipas tij, në 3-mujorin e tretë rritjen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në seksionet: " Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve" me 3,1 % dhe "Industri nxjerrëse" me 1,9 %.
Çmimet më të ulëta vërehen në seksionin "Industri përpunuese", që shënoi një ulje vjetore 0,1 %.
Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013, çmimet e prodhimit të produkteve për eksport u rritën me 1,0 %, ndërsa çmimet e prodhimit të produkteve vendase po ashtu u rritën me 0,2%
Ndryshimi tremujor mes të dytit dhe të tretit sivjet, llogaritet 0,1 %. Çmimet e prodhimit në "Industri Nxjerrëse" u rritën 1,0 %, ku ndikim kryesor dha rritja e IÇP-së në aktivitetin "Nxjerrja e mineraleve metalore" me 2,3 %.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve të industrisë përpunuese shënoi ulje me 0,3 %, ku më e dukshme u shënuan në produktet për aktivitetet: "Prodhimi i produkteve të duhanit" me 6,7 % dhe "Prodhimi i produkteve minerale jo metalike" me 2,1 %.
Ndryshe nga këto grupe, u rritën çmimet e prodhimit të produkteve në aktivitetet: "Prodhimi i letrës dhe produkteve prej letre" me 2,4%, "Prodhimi i paisjeve elektrike" me 1,9% dhe "Përpunimi i tekstileve" 1,4 %.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit për produktet vendase arriti 102,5 %, me ulje 0,1 % krahasuar me tremujorin e dytë, ku dalloi ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në seksionin "Industri Përpunuese" me 0,3 %, ndërsa u rritën 1% çmimet e prodhimit të industrisë nxjerrëse.
Indeksi i Çmimeve të Eksportit arriti 104,2 % duke shënuar rritjen 0,3 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Çmimet e prodhimit të produkteve për eksport kanë shënuar rritje në seksionin "Industri nxjerrëse" me 4,5 %, brenda saj mund të përmendet rritje e çmimeve të produkteve në aktivitetin "Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror" me 6,1 %./n.m/f.n/