Sipas treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto (V.B.SH) ekonomia në tremujorin e tretë të vitit 2013 vlerësohet me rënie prej 2,26 % kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2012.
Gjergj Filipi drejtori i INSTAT informon se ndikim në këtë rënie kanë dhënë të gjitha degët kryesore të ekonomisë duke përjashtuar atë të bujqësisë.
Në një konferencë për shtyp ku paraqiti të dhënat për këtë 3 mujor, Gjergj Filipi, drejtori i INSTAT-it deklaroi se vetëm sektori i bujqësisë u rrit me 2.9 përqind, krahasuar me një vit më parë.
Sektorët e tjerë, përfshirë ndërtimin, grupin e shërbimeve kanë pasur ecuri negative në 3 mujorin tretë të vitit 2013
Grupi i industrive u ul me 4,6% në tremujorin e tretë të vitit 2013 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012. Ndikimin kryesor në këtë rënie e pati industria përpunuese me rreth 7 %.
Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e tretë të vitit 2013 pati ulje prej 10 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012.
Grupi tregti, hotele dhe restorante pati një rënie prej 3,4 % në tremujorin e tretë të vitit 2013 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në këtë grup, rënia me rreth 13 % e degës së hotele dhe restorante dhe degës së tregtisë me 1,6% patën ndikimin më të madh.
Aktiviteti i transportit në tremujorin e tretë të vitit 2013 u ul me 4,2 % krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Grupi i postë dhe komunikacionit u shfaq me rënie prej 1,2 % në tremujorin e tretë të vitit 2013 përkundrejt tremujorit të tretë të vitit 2012. Grupi i shërbimeve në tremujorin e tretë të vitit 2013 pati rënie me 0,5 % kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2012.
Në këtë grup, sektori financiar, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia ndikuan pozitivisht, ndërsa rënia ndikohet nga ecuria negative e sektorit të pasurve të patundshme, rentës dhe aktiviteteve ndihmëse të biznesit ( aktivitete ligjore, të arkitekturës, inxhinierike si dhe konsulenca financiare.
Filipi vlerësoi se sa i përket ndryshimeve ndaj tremujorit pararendës, ekonomia vlerësohet me rënie prej 2% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2013.
Tremujori i tretë përkon me periudhën e tranzicionit politik, me muajt korrik, gusht, shtator, pas përfundimit të zgjedhjeve të qershorit, ku vendi ishte vetëm formalisht me Qeveri, çka duket se ka ndikuar jo pak në ecurinë e ekonomisë.
Rritja ekonomike për tremujorin e 3-të të 2013