TIRANE, 3 Dhjetor/ATSH/- Në tremujorin e tretë 2014, indeksi i kushtimit në ndërtim (për banesa) arriti 102,1 % kundrejt tremujorit të parë 2011 (Tremujori i parë 2011=100).
Sipas Institutit të Statistikave, në tremujorin e tretë 2014 ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim (për banesa) është 0,5 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013 rritjen më të madhe e ka patur grupi "Shpenzime page" me 1,1 % duke u ndjekur nga "Shpenzime transporti" me 0,5 %. Ulja më e madhe vjetore vërehet në indeksin e grupit "Shpenzime makinerie" me 1,5 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2013, grupi "Shpenzime materiale" është rritur me 0,1 %. Rritjen më të madhe brenda këtij grupi e pati nëngrupi "Materiale elektrike dhe komunikimi" me 1,3 %.
Në tremujorin e tretë 2014 ndryshimi tremujor i indeksit është 0,1 %. Indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime materiale" është rritur me 0,5 % krahasuar me tremujorin e dytë 2014. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e pati nëngrupi "Materiale elektrike dhe komunikimi" me 1,3 %.
Indekset e grupeve "Shpenzime transporti" dhe "Shpenzime makinerie" u rritën me 0,3 % dhe 0,1 % krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa, indeksi e grupit "Shpenzime page" u ul me 0,1 % kundrejt tremujorit të dytë 2014./a.gjonaj//a.ke/











