Instituti i Policisë Shkencore bëhet zyrtarisht pjesë e ENFSI (European Network of Forensic Science Institutes), rrjetit evropian që bashkon laboratorë dhe institucione forenzike nga vendet e Evropës.
Procesi i anëtarësimit ka nisur me aplikimin e Institutit të Policisë Shkencore, në vitin 2025, ka vijuar me një auditim të detajuar në nëntor 2025 nga bordi drejtues, dhe aprovimi zyrtar ka ardhur më datë 18 dhjetor 2025.
Ky anëtarësim është një hap i rëndësishëm për forcimin e cilësisë, besueshmërisë dhe profesionalizmit të punës së Institutit të Policisë Shkencore në Policinë e Shtetit.
Gjithashtu, siguron harmonizimin e metodave dhe standardeve me laboratorët homologë në Evropë, rrit pranueshmërinë ligjore të rezultateve në gjykata dhe mundëson bashkëpunim ndërkombëtar në raste hetimore komplekse.
Instituti po punon vazhdimisht për akreditimin e laboratorëve të tij sipas standardit ndërkombëtar “ISO 17025”, duke garantuar standarde të larta teknike dhe cilësi në të gjitha analizat forenzike.
Anëtarësimi në ENFSI gjithashtu ofron mundësi për trajnime dhe zhvillim profesional të ekspertëve, duke rritur kapacitetet teknologjike dhe ekspertizën shkencore të Institutit.
Komente









